Pas lirimit të ish-luftëtarit të UÇK-së Tomor Morina, nga burgu i Shutkës në Shkup, pas një fletarresti nga Serbia, ai ka rrëfyer detajet rreth aktakuzës në bazë të së cilës u arrestua.
“Isha duke shku në Shkup me e marrë një shok në aeroport. Ndalohem në pikën kufitare në Bllacë. Edhe më futën brenda në kabinë. Më priten mirë. Prita një orë. Pastaj erdhën e më morën në e më çuan në Shkup në Gjykatë. Kërkesa për arrestimin tim ka qenë nga Serbia. Prokurori në gjykatë është bazu në aktakuzë. Ma ka konfirmu që jam i kërkuar nga autoritetet serbe”, tregon për momentin e arrestimit Tomor Morina, për Gazetën Express.
Ai rrëfen se e gjithë aktakuza ishte përpiluar me gjëra të pavërteta. Në të, sipas Morinës, thuhej se ai ka vrarë njerëz e ka djegur shtëpi gjatë kohës sa i kishte shërbyer luftës së UÇK-së.
“Aktakuza ka qenë shumë qesharake. Demek që unë paskam vra njerëz shumë. Kam djeg shtëpi. Gjëra të cilat nuk qëndrojnë. Nuk ka pas emra aty të njerëzve kush është vra, në cilën kohë është vra, kush janë dëshmitarë. Këto kanë qenë shpifje të ish-kohës së Millosheviqit të cilat sot i zbaton Serbia. Aktakuza ka qenë pa asnjë bazë. Ka qenë aktakuzë politike”, tregon tutje ish-ushtari i UÇK-së.
Ai shpjegon edhe për trajtimin i cili i është bërë nga ana e autoriteteve maqedonase përgjatë 20 ditëve qëndrim në burg. Tregon se nuk ka besuar se do ta ekstradojnë për në Serbi.
“Autoritetet maqedonase më kanë trajtu korrekt. Kushtet e burgut kanë qenë tmerrësisht të këqija, katastrofike. Më kanë vizitu, përfaqësuesit e ambasadës britanike, Bashkimit Evropian. Unë e kam ditë, kam besu që ekstradim nuk do të ketë”, thotë Morina.
Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, i cili ka qenë ushtra i kryeministrit në largim, Ramush Haradinajt i ka falënderuar të gjithë ata që i kanë dalë në ndihmë përgjatë ditëve sa ka qëndruar në burgun e Shkupit.
“Unë i falënderoj të gjithë që janë përpjekur që të më ndihmojnë. Gjakovën e falënderoj për protesta. Unë i falënderoj nga zemra. Ashtu duhet me bo për të gjithë bashkëluftëtarët tjerë. Moralisht duhet të përkrahen”, thotë Morina.
Por se kur do të kthehet në Angli, aty ku jeton dhe vepron, Morina ende nuk e di. Kjo me arsyen se pasaporta atij i është ndalë në Shkup për disa procedura të cilat thotë se nuk i di.
“Pasaportën e kam ende në Maqedoni. Ma kanë ndal atje. Po pres ta marrë këto ditë. Të gjitha akuzat për mua kanë qenë politike. Veç me i barazu krimet që serbët i kanë kryer në Kosovë”, thotë në fund Morina.
Ish -ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, u arrestua më 24 korrik në pikën kufitare në Bllacë.
Ai u mbajt për më shumë se dy javë në Burgun e Shutkës, në bazë të një fletarresti të Interpolit të lëshuar nga Serbia.
Morina akuzohej se gjatë viteve 98-99-të kishte kryer krime lufte.
Serbia kishte kërkuar nga Maqedonia e Veriut të ekstradonte Tomor Morinën.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...