Jemeni: Emiratet e Bashkuara Arabe janë përgjegjëse për “grusht shtetin” në Aden

17:55 | 15 Gusht 2019
Arbresh.info

Qeveria e Jemenit të enjten ka fajësuar Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe separatistët jugor për inskenimin e një “grusht shteti” ndaj legjitimitetit në kryeqytetin e përkohshëm Aden, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në kumtesën e Ministrisë së Jashtme të Jemenit i bëhet thirrje EBA-së që menjëherë të ndërpresë mbështetjen e “grupeve rebele”, duke iu referuar grupit “Rripi i Sigurisë”, që janë forca besnike të Këshillit të Përkohshëm Jugor (STC) të mbështetura nga EBA.

Nga ministria thonë se koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, pjesë e të cilit është edhe EBA, ndërhyri në Jemen pasi Presidenti Abdrabbuh Mansur Hadi i kërkoi mbretit Saudit Salman bin Abdulaziz për të mbrojtur legjitimitetin.

Kërkesa është bazuar në ligjin ndërkombëtar dhe në Kartën e OKB-së për të mbrojtur Jemenin nga grupi rebel Huthi që mbështetet nga Irani, thuhet në kumtesën e ministrisë.

Pas luftimeve të ashpra që zgjatën katër ditë me forcat legjitime qeverisë, forcat e Rripit të Sigurisë tani kontrollojnë shumicën e institucioneve shtetërore, përfshirë edhe pallatin presidencial të Maasheeq në kryeqytetin e përkohshëm të Adenit.

Ndërkohë, STC organizoi tubim në Aden për të demonstruar mbështetjen nga populli pas fitoreve ushtarake të fundit që erdhën me qëllimin përfundimtar të rrëzimit të Presidentit Hadi i cili aktualisht banon në Rijad, kryeqytetin e Arabisë Saudite.

Përmes një kumtese, nga STC i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite që “të respektojë vullnetin e njerëzve në jug dhe kërkesave të tyre për pavarësi”.

Tubimi, thuhet në deklaratë, përsëriti mandatin e popullit ndaj drejtuesit të STC-së Aidarus al-Zoubaidi për të krijuar “një shtet në jug”.

Jemeni është përfshirë nga dhuna që nga viti 2014, kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sanaa.

Konflikti u përshkallëzua edhe më tej kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj Suni-Arabë filluan një fushatë masive ajrore që synonte pengimin e avancimit të Huthi-ve duke mbështetur qeverinë pro-Saudite të vendit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme