Meta për paketën anti-shpifje: Pa media të lirë rruga drejt BE e pamundur

15:25 | 15 Gusht 2019
A. B.

Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot në lidhje me debatin e hapur pas paketës ligjore anti-shpifje të ndërmarrë nga maxhoranca qeverisëse.

Ndërsa thekson se pa media të lirë dhe të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian është e pamundur, ai numëron disa nga raportet dhe statistikat për median në vend për të cilat thotë se janë këmbana të forta alarmi për gjendjen e përkeqësuar dhe tepër shqetësuese në të cilën ndodhen sot gazetarët në Shqipëri.

Reagim i presidentit Ilir Meta

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta po ndjek me shumë vëmendje shqetësimet e thella të shprehura nga komuniteti i gazetarëve shqiptarë dhe organizatat ndërkombëtare që monitorojnë lirinë e medias në vendin tonë, lidhur me nismën ligjore “anti-shpifje” të propozuar nga qeveria.

Duke ndarë bindjen se çdo goditje ndaj institucionit të medias, është sulm ndaj demokracisë, Presidenti Meta thekson domosdoshmërinë e marrjes në shqyrtim nga ana e qeverisë, por edhe e Parlamentit, e të gjitha sugjerimeve të shprehura nga komuniteti i gazetarëve, me kujdesin dhe vëmendjen e duhur që ato meritojnë.

Presidenti Meta shpreh bindjen se angazhimi i institucioneve dhe i shoqërisë në përkrahje të lirisë së të shprehurit është tregues për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe përgjegjësinë publike në vend.

Presidenti Meta thekson se liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut dhe shtyllë e pazëvendësueshme e jetike për një shoqërie moderne demokratike, si dhe për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike.

Zbritja me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, sipas konkluzioneve të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”;

Përfundimet e raportit vjetor të “Freedom House” se media në Shqipëri është pjesërisht e lirë;

Konkluzionet e “Misionit për lirinë e medias” të shtatë organizatave globale sipas të cilave “autoritetet shqiptare nuk po përmbushin detyrimet ndaj ligjit vendas dhe instrumenteve ndërkombëtare për të garantuar lirinë e shprehjes dhe të medias, duke theksuar se ka pasur një përkeqësim të sigurisë, kushteve të punës dhe aksesit në informacion të gazetarëve”;

Raporti paraprak i OSBE/ODIHR ku theksohej se “media të mëdha u shërbejnë si platforma lobuese pronarëve të tyre, duke vënë kështu në pikëpyetje pavarësinë e tyre editoriale dhe duke imponuar autocensurën”;

Janë këmbana të forta alarmi për gjendjen e përkeqësuar dhe tepër shqetësuese në të cilën ndodhen sot gazetarët në Shqipëri.

Presidenti Meta garanton komunitetin e gazetarëve se do të jetë përherë në mbështetje të tyre kundër çdo tentative që synon të cenojë fjalën e lirë dhe pavarësinë e medias, që rrezikon të kthejë vendin 30 vite pas.

Pa media të lirë dhe të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pamundur.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme