Google ADS

Zyrtarët e Barcelonës udhëtojnë në Paris për transferimin e Neymarit

12:43 | 13 Gusht 2019
Arbresh Info

Barcelona i ka intensifikuar tentimet për ta kthyer Neymarin nga Paris Saint-Germaini në “Camp Nou”. Sipas radiostacionit katalonas, RAC1, zyrtarët e Barcelonës kanë udhëtuar në kryeqytetin francez për ta bërë ofertën e parë zyrtare për brazilianin.

Delegacioni i Barcelonës po drejtohet nga drejtori Javier Bordas, ndikimi i së cilit te kampionia e La Ligës është shtuar pas dorëheqjes së zëvendëspresidentit sportiv, Jordi Mestres.

Në mesin e zyrtarëve që udhëtuan në Paris është edhe ndërmjetësi brazilian, Andre Cury, i cili kishte qenë personi kryesor në transferimin e Neymarit nga Santosi në Barcelonë në vitin 2013 dhe nga Barcelona në PSG para dy vjetësh.

Edhe pse transferimi i Neymarit nuk pritet të kompletohet menjëherë, drejtuesit e Barcelonës do të ulen në tavolinë me drejtorin e Paris Saint-Germainit, Leonardo de Araujon sot, duke i filluar kështu bisedimet për Neymarin edhe formalisht.

Qëllimi i Barcelonës është që ta bindë PSG-në të pranojë ofertë para plus lojtarë në shkëmbim të Neymarit, ose t’ia huazojë për këtë sezon të ri me opsionin për ta blerë verën e ardhshme përfundimisht.

Barcelona është e gatshme ta japë Philippe Coutinhos dhe një shumë parash për Neymarin, mirëpo deri më tani po refuzon ta përfshijë në ofertë edhe Nelson Semedon, të cilin e kërkon PSG-ja.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme