Në fillim ai ishte “anti-Jelcini”: shumë më i ri se presidenti ende në detyrë, plot energji, me paraqitje të sigurtë në publik, refuzues ndaj vodkës. Para 20 vitesh, kreu i atëhershëm i qeverisë dhe më vonë presidenti i Rusisë u dha një vetëbesim të ri rusëve thellësisht të pasigurtë. Reformat e dështuara të viteve 90-të e tronditën besimin e rusëve, në Kaukaz kishte plasur lufta qytetare, Rusia ndodhej ekonomikisht në kulmin e krizës.
Njeriu i ri që hyri në Kremlin ishte me “fat”. Rritja e çmimeve të lëndëve të para solli miliarda në arkat e shtetit. Putini investoi në ekonomi, i ktheu borxhet botës, luftoi varfërinë. Me dorë të hekurt ai i dha fund luftës në Çeçeni, dhe bëri që të dëgjohej sërish zëri i Rusisë në politikën botërore.
Me nuhatje të hollë për ëndrrat e rusëve
Nga përvoja e këtyre viteve Putin përfiton edhe sot. Ai ka një nuhatje të hollë për ëndrrën e rusëve për stabilitet dhe madhështi perandorake. Tanimë Vladimir Putin e inskenon veten si timonieri me përvojë, që e drejton anijen Rusi me dorë të sigurtë në stuhitë e kohës, gjithmonë duke i bërë ballë erës që i vjen kundër nga perëndimi. Ai u premton vendasve atë që duan të dëgjojnë; më shumë para për shkak të rritjes së rrogave, dhe rritje të shpenzimeve sociale.
Që nuk i mban premtimet, rusët e moshuar e dinë, por nuk shohin alternativë tjetër. Kurse rinia ruse sot mendon ndryshe. Ajo jeton në një botë që ndryshon me shpejtësi. Vetëm në Kremlin gjithçka mbetet siç ka qenë. Putini – mishërimi i “vazhdo kështu”. Gjenerata e re nuk identifikohet dot me një Putin, që thotë, se ende nuk ka një smartphone. Stabilitetin aq të vlerësuar nga rusët, kjo gjeneratë e sheh si mbajtje me thonj pas pushtetit. Kush flet si Putini për avantazhet e ndryshimit të klimës, nuk kthehet dot në idhull të rinisë. Shumë nxënës e studentë i përbuzin politikanët e korruptuar, prokurorët e gjykatësit që marrin ryshfet, oligarkët që nuk ngopen kurrë. Gjenerata e re në qytete kërkon transparencë në veprimet e shtetit. Dikur kjo quhej “glasnost”.
Por një perestrojkë, riformësim, siç u quajt reforma kyçe e epokës së Gorbatçovit, nuk ka për të pasur. Të ashtuquajturit “Siloviki”, burrat në moshë të aparatit të sigurisë, nuk lejojnë të shtyhen aq kollaj mënjanë. Nga demonstrues paqësorë jo e jo. E kështu sistemi Putin vazhdon punën e tij: Zgjedhjet manipulohen, shtypi censurohet, ata që mendojnë ndryshe përndiqen. Shoqëria ruse po polarizohet gjithnjë e më shumë.
Një president që tani polarizon
Sa më shumë që qëndron në pushtet Vladimir Putin, aq më shumë po ndahen rusët në qëndrimin ndaj tij. Edhe më tej miliona rusë do të vazhdojnë ta adhurojnë Putinin, njeriun që e rriti influencën e Rusisë në Ukrainë, Gjeorgji dhe më tej. Politikanë reaksionarë në botë, edhe në Gjermani shohin madje tek ai një model se si mund të rifitohet sërish “madhështia kombëtare”: me dorë të fortë dhe dhunë. Nga ana tjetër politikanë liberalë demokratë e refuzojnë atë plotësisht dhe presin për një epokë pas Putinit.
Por kjo do të zgjasë. 20 vite në pushtet nuk mjaftojnë për të bërë bilanc. Epoka e Putinit zgjat deri në vitin 2024. Deri më tani ai e ka lënë të hapur, nëse do të vazhdojë të qeverisë edhe më tej. Politikani i sotëm Putin nuk është më ai i para 20 viteve. Në atë kohë ai iu ofrua perëndimit si partner. Tani ai e lufton rendin botëror të përcaktuar nga SHBA. Me këtë ai së bashku me sundues të tjerë autoritarë në Kinë dhe Iran e bën botën më të pasigurtë. Për të gjithë, edhe për rusët./DW
Osmani takon mërgimtarët në Kanada: Kudo, një copëz Kosove &...
GJKKO dënon me 2 vjet e 8 muaj burg ish-kryebashkiakun e Dur...
Murati – Bajramit: Hykmete, s’paske mësu as sot, ulu njësh
Hamza u bënë thirrje mërgimtarëve në Gjermani që të regjistr...
Të premten bëhet tërheqja e shortit për Kupën e Kosovës
Haradinaj: Kosova nuk duron qeveri që humbjet i mbulon me de...