Google ADS

48 orë masa e ndalimit për të dyshuarin në rastin e Prizrenit

15:18 | 7 Gusht 2019
Arbresh.info

Prokuroria Themelore në Prizren njofton se i dyshuari për vrasjen e gruas në Prizren, është ndaluar për 48 orë, ndërsa pritet që në Gjykatë të dorëzohet edhe kërkesa për paraburgim.

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin se mbrëmë më 6 gusht 2019, rreth orës 23:18 në Prizren në rrugën “Hysni Morina”, ka ndodhur një vrasje me armë zjarri.

Sipas dyshimeve të para të Prokurorisë, i dyshuari i gjinisë mashkull me inicialet B.V., dhe viktima e gjinisë femër A.V., kanë qenë bashkëshortë, ndërkaq ende nuk dihet motivi i kësaj vrasjeje.

Në vendin e ngjarjes është gjetur viktima, pistoleta, dy karikatorë si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm. Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Po ashtu, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, policia ka bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit, ku gjatë bastisjes janë sekuestruar:

– Një pistoletë me nr. serik T0620 – 15k00074;

– Dy karikatorë; si dhe

– 42 fishekë të pistoletës.

Me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit të Krimeve të Rënda, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa, gjatë ditës pritet që në Gjykatë të dorëzohet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Gjithashtu, Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin se pas verifikimeve të bëra në databazën e Prokurorisë, të njëjtit nuk kanë pasur ndonjë rast të paraqitur apo të raportuar për dhunë në familje apo rast të ngjashëm.

“Prokuroria Themelore në Prizren, rastet e dhunës në familje i trajton me prioritet dhe ka të caktuar dy prokuror që merren me trajtimin e rasteve të tilla. Andaj, Prokuroria Themelore në Prizren, si institucion i pavarur me autoritet dhe përgjegjësi ligjore dhe Kushtetuese mbetet e përkushtuar për luftimin e çfarë do lloj natyre të kriminalitetit që bie mbi kompetencën dhe përgjegjësinë e kësaj Prokurorie”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme