Google ADS

Kryetari i FFK-së me një kërkesë te Presidenca rreth pajisjes së futbollistëve me pasaporta

09:13 | 7 Gusht 2019
Arbresh Info

Agim Ademi ka shtruar një kërkesë te zyra e Presidentit të Kosovës në lidhje me procesin e marrjes së nënshtetësisë dhe pasaportës së Kosovës.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës me anë të një letre i është drejtuar Presidencës për gjetur zgjedhje në mënyrë që gjithë këto procedura të kryen për një kohë sa më të shpejtë, shkruan portali arbresh.info.

Kërkesa nga Ademi është shtruar menjëherë pas përmbylljes së procedurave të marrjes së nënshtetësisë dhe pasaportës sonë nga futbollisti i ri Florent Muslija, proces që thuhet se ka ndodhur me shumë vështirësi pavarësisht dëshirës dhe përkushtimit të organeve kompetente.


Letra e plotë nga Ademi dhe KE:

Kërkesë e presidentit Ademi dhe KE të FFK-së rreth pajisjes së futbollistëve me pasaporta

Pas përmbylljes së procesit të marrjes së nënshtetësisë dhe pasaportës së Kosovës nga ana e futbollistit Florent Muslija, i cili iu bashkua ekipit të sukseseve, presidenti Agim Ademi dhe Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, duke i parë vështirësisë procedurale të pajisjes me pasaportë të futbollistëve tanë (përkundër dëshirës dhe përkushtimit të njerëzve kompetent të organeve përkatëse) e paraqesin këtë kërkesë:

Kërkohet nga institucionet shtetërore kompetente – Presidenca, që ta zgjedhin rrugën dhe kohën më të shpejtë të mundshme për të dekretuar dhe për të pajisur me pasaportë sportistët tanë në përgjithësi, sepse procedura e tanishme dhe kërkesa e dokumentacioneve të shumta bënë që sportistët tanë të kenë probleme të natyrave të ndryshme, sidomos në shtetet evropiane ku ata jetojnë e veprojnë.

Prandaj, kërkojmë që për sportistët tanë të përdoret procedurë e veçantë, e cila do të mundësonte dekretimin dhe pajisjen e tyre me nënshtetësi dhe pasaportë në afatin më të shpejtë të mundshëm. Ky veprim do të mundësonte kompletimin e ekipeve tona sportive dhe do ta realizonte më shpejtë dëshirën e madhe të bashkatdhetarëve tonë që nëpërmjet sportit të japin kontributin për atdheun e tyre – Kosovën. Besojmë se kjo kërkesë e jona do të hasë në mirëkuptimin e plotë të institucioneve shtetërore dhe në të ardhmen sportistët tanë nuk do të hasin telashe të tilla procedurale për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës, ngase edhe koha e tyre për t’u marrë me çështje të tilla është e limituar, duke pasur parasysh faktin se janë pjesë të klubeve të mëdha evropiane.

Bashkë drejt sukseseve të reja!

Presidenti i FFK-së

Agim ADEMI

/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme