Putin: SHBA “përgjegjëse” për shkatërrimin e paktit bërthamor

14:00 | 6 Gusht 2019
Arbresh.info

Tërheqja e njëanshme e SHBA-ve nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF) në mënyrë serioze ka komplikuar situatën në botë dhe ka krijuar rreziqe themelore për të gjithë, tha presidenti rus Vladimir Putin, raporton Anadolu Agency (AA).

“Më lejoni të theksoj se e gjithë përgjegjësia për atë që ka ndodhur është e SHBA-ve”, tha Putin duke akuzuar administratën amerikane për tërheqjen nga Traktati i INF-së.

Në një deklaratë me shkrim pas takimit urgjent me anëtarët e Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Putin tha se ai i ka dhënë instruksione Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Jashtme dhe Shërbimeve të Inteligjencës së Jashtme që të monitorojnë “në mënyrën më të plotë” hapat e mëtejmë amerikanë në “zhvillimin, prodhimin dhe vendosjen e raketave me rreze të mesme”.

“Nëse Rusa merr informata të besueshme se SHBA kompleton zhvillimin e këtyre sistemeve dhe fillon t’i prodhojë, Rusia nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveç se të angazhohet plotësisht për të zhvilluar raketa të ngjashme”, tha ai.

Putin shtoi se përpos zhvillimeve të fundit, ai pret që të mbizotërojë arsyeja dhe se SHBA do të rikthehet me një qasje të përgjegjshme për sigurinë ndërkombëtare.

Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për Traktatin e Reduktimit të Armëve Strategjike (START) dhe Marrëveshjen për Parandalimin e Përhapjes së Armëve Bërthamore (NPT).

“Rusia konsideron se është e nevojshme që të ringjallim pa ndonjë prolongim bisedimet kuptimplota për të garantuar stabilitetin dhe sigurinë strategjike. Ne jemi të gatshëm që të përfshihemi në këto përpjekje”, tha ai.

Më 2 gusht të këtij viti, SHBA formalisht u tërhoq nga pakti bërthamor, veprim që erdhi pas një lufte me fjalë që zgjati disa muaj mes Moskës dhe Uashingtonit.

Traktati u nënshkrua më 8 dhjetor të vitit 1987 pas rreth 10 vitesh bisedime nga ish-lideri sovjetik Mikhail Gorbachev dhe ish-presidenti amerikan Ronald Reagan, duke i dhënë fund kërcënimit për luftë bërthamore në Evropë.

Sipas traktatit, të dyja palët shkatërruan të gjitha raketat me rreze të mesme dhe të shkurtër në një afat prej katër viteve.

Në tetor të vitit 2018, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi tërheqjen nga pakti, duke akuzuar Moskën për shkelje të paktit.

Në shkurt, SHBA filloi procesin e tërheqjes nga traktati INF që të përfundojë në gjashtë muaj.

Në një përgjigje, më 3 korrik presidenti rus, Vladimir Putin nënshkroi një projekt-ligj që pezullonte detyrimet e Moskës në bazë të traktatit INF.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme