Gjykata ia mundëson Kocit vazhdimin e mandatit të sekretarit deri në vendimin përfundimtar të saj

08:52 | 6 Gusht 2019
Arbresh.info

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Hajriz Koci, i cili, sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), ishte emëruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e konfliktit të interesit, do të vazhdojë të qëndrojë në këtë pozitë deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Kjo gjykatë ka aprovuar kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të AKK-së pas padisë që kishte bërë Koci më 16 korrik të këtij viti.

Koci, i cili dikur ishte drejtor e zëdhënës i Komunës së Skenderajt, ishte angazhuar si këshilltar politik në Ministri, në kohën kur ministër ishte Besim Beqaj. Por, në fund të vitit të kaluar nga stafi politik kishte kaluar në një pozitë tjetër, në atë të sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por, pas raportimit të KTV-së, Agjencia Kundër Korrupsionit kishte nxjerrë një vendim, duke konstatuar se emërimi i Kocit në pozitën e sekretarit të përgjithshëm bie ndesh me dispozitat e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, përkatësisht me nenin 18 të tij, i cili përcakton kufizime kohore për lëvizjet e tilla të zyrtarëve.

“Ekziston konflikti i interesit në rastin për Hajriz Kocin, sekretar në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, për shkak se deri para se të zgjidhej dhe të emërohej në këtë pozitë i njëjti ishte këshilltar politik i ministrit të po kësaj ministrie. Kjo situatë bie ndesh me dispozitat e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. Agjencia do të kërkojë nga institucioni, ku zyrtari i lartë ushtron funksionin, që të fillojë procedurat për shkarkimin e tij”, thuhet në vendimin e AKK-së

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme