Google ADS

Meksika vendos veprime ligjore për të mbrojtur meksikanët në SHBA

19:40 | 5 Gusht 2019
Arbresh.info

Meksika ka njoftuar se do të ndërmarrin veprime ligjore për të mbrojtur qytetarët e saj që jetojnë në SHBA pasi shtatë meksikanë u vranë mes të tjerëve në të shtënat e së shtunës në Teksas, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Meksika shpreh refuzimin e saj më të thellë dhe dënimin e plotë të aktit barbar, në të cilën burra dhe gra të pafajshëm meksikanë humbën jetën”, tha ministri meksikan i Punëve të Jashtme, Marcelo Ebrard, në një video-mesazh në twitter.

Kryediplomati meksikan tha se presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, e kishte udhëzuar atë të sigurohej që familjet e prekura dhe qytetarët meksikanë në SHBA të jenë të mbrojtur përmes “veprime ligjore efektive, të shpejta dhe të fuqishme”.

Mediat lokale raportuan se Ebrard më vonë në një konferencë për media tha se Meksika po bën thirrje për një takim të vendeve me komunitetet në SHBA që flasin gjuhën spanjolle të mbrojnë “kulturën dhe të drejtat” e qytetarëve të tyre.

Meksika po ashtu planifikon të ndërmarrë veprime ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për të shtënat dhe do t’u kërkojë autoriteteve amerikane qasje në hetim.

“Ne do të kërkojmë qasje për të parë se si u shit kjo armë dhe si erdhi në duart e tyre. Dhe që të dimë nëse autoritetet kishin dijeni për potencialin e këtij individi”, tha Ebrard.

Mediat lokale gjithashtu raportuan se pritet që Meksika t’i dërgojë një notë diplomatike qeverisë amerikane për të marrë “një qëndrim të qartë dhe të fortë” për krimet e urrejtjes”.

Të paktën 20 persona u vranë dhe mbi 20 u plagosën në të shtënat e të shtunës në një qendër tregtare në El Paso të Teksasit.

I dyshuari u identifikua si Patrick Crusius, një mashkull i bardhë 21-vjeçar nga qyteti Allen i Teksasit, dhe që atëherë është marrë në arrest.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme