Google ADS

A do t’i prishë “Morina” marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni?

18:50 | 3 Gusht 2019
Arbresh.info

Kosova kërkon lirimin e tij, Serbia ekstradimin.

Pasi u mësua që Serbia edhe zyrtarisht ka dërguar kërkesë për ekstradimin me çdo kusht të Tomor Morinës, ambasadori i Republikës së Kosovës, në vend Gjergj Dedaj tha se ekstradimi eventual do të ishte shkak për prishjen e marrëdhënieve ndër-shtetërore mes dy vendeve.

Ekspertja e të drejtës ndërkombëtare, Besa Arifi thotë se Maqedonia ka mundësi të zgjedhë, duke shtuar se ekstradimi është proces i bashkëpunimit ndërkombëtar i cili tërësisht varet nga vullneti politik i vendit.

“Shteti duhet të vlerësojë për atë se çfarë ndikimi do të ketë ekstradimi ose mos ekstradimi për marrëdhëniet ndërkombëtare që mund t’i ketë me shtetin tjetër. Në këtë rast, pasi ka konflikt interesi, sigurisht mes dy shteteve fqinje Maqedonia serish do të jetë në gjendje të vendosë dhe të japë prioritetet e veta. Ku mendon se duhet të bëjë bashkëpunimin ose jo dhe se cilat marrëdhënie duhet t’i mbrojë në këtë drejtim. Nuk është as rast i parë po as i fundit që mund të jepet ose mund të mos jepet ekstradim ka pasur shumë raste kur ekstradimi është refuzuar nga të gjitha këto shtete, edhe nga Maqedonia, Serbia po edhe Kosova. Kështu që këto janë vendime ad-hok të cilat i sjell organi administrativ në bazë të vlerësimeve që bëhen se a është në interesat ë shtetit ekstradimi ose jo”, tha Besa Arifi për Tv21.

Përpos shteteve fqinje, ekstradimi i Morinës i ka vënë kundër-njëri tjetrit edhe krerët e shtetit.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev gjatë një prononcimi tha se duhet të respektohen të drejtat ndërkombëtare.

“Sundimi i ligjit dhe respektimi i rregulloreve dhe ligjeve ndërkombëtare është normë evropiane, të cilën unë dhe të gjithë ju e përfaqësojmë. Procedura kryhet nga prokurori kompetent, dhe për këtë vendos gjykatësi kompetent, as Zaev as Oliver Spasovski (ministri i Brendshëm), Agim Nuhiu (zëvendësministër i Brendshëm), dhe askush tjetër nga qeveria”, tha Zaev.

Por qëndrimi i kryeministrit Zaev nuk korrespondon me atë të zv/kryeministrit Bujar Osmani i cili tha se Morina urgjentisht duhet të lirohet.

“Është vërtetë e dhimbshme që pas 20 viteve nga konflikti ende njerëzit të mbahen për konfliktin e vitit 99. Kjo nënkupton se shteti, në fakt gjyqësori duhet të kalon në procedurat e nevojshme deri sa Ministria e Drejtësisë të merr vendimin për mos ekstradimin e tij. Të jeni të bindur se aq sa mundet politika të ndikon në situata të këtilla, po bëjmë çmos për të alarmuar të gjithë se kjo është e pa pranueshme dhe duhet urgjentisht të lirohet zoti Morina”, pohoi ditë më parë Osmani.

I të njëjtit mendim është edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj i në një intervistë për Tv21 cili shton se ekstradimi eventual mund të prishë marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Megjithatë, kujtoj se ekstradimi i tij është komplet kundër të drejtave njerëzore është anti-ligjor, I papranueshëm dhe nuk do duhej të ndodhte, sepse një ekstradim eventual nuk është më në dëm të fatit personal të Tomor Morinës. Por mund të ketë pasoja edhe për marrëdhëniet ndër-shtetërore në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së veriut. Dhe nuk do të donim që raste të tilla të ndikojnë për prishjen eventuale, për çka na nuk jemi të interesuar fare si Kosovë”, pohoi ambasadori i RKS-së, Gjergj Dedaj.

Por Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, deklaroi se Serbia po e pret ekstradimin e Tomor Morinës.

Ai porositi se kryeministri Zoran Zaev duhet ta mbajë premtimin se do ta respektojë të drejtën ndërkombëtare, duke shtuar se çdokush që është pjesë e Interpolit duhet t’u përmbahet rregullave të kësaj organizate.

“Zaevi tha se do ta respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe kjo vetëm mund të thotë – ekstradimi i Morinës para organeve në Serbisë e asgjë tjetër. Presim që fjalët e Zaevit të realizohen dhe të respektohet e drejta ndërkombëtare”, ka thënë Stefanoviq, transmeton “B92”. Ditë më parë avokati i Morinës, Naser Raufi tha se pret që klienti i tij të lirohet gjatë javës, por ajo nuk ndodhi.

Tv21 kontaktoi me zyrën e avokatit nga ku na thanë se janë në pritje të përgjigjes nga gjykata e cila duhet të vendosë nëse Morinës duhet ta lëshojnë nga paraburgimi.

Nga ministria e Drejtësisë për Tv21 thanë se kërkesën për ekstradim do e dërgojnë të hënën para gjykatës adekuate.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme