Google ADS

Qeveria e Kosovës paralajmëron qytetarët që gjykatat serbe nuk kanë hequr dorë

17:33 | 1 Gusht 2019
Arbresh.info

Qytetarëve të Kosovës, të cilët në Serbi janë të dënuar për terrorizëm,kanë filluar t’iu vijnë urdhëresë për vuajtje të dënimit me burg në Serbi.

Paralajmërimi vjen nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me gjykatat lokale.

Një urdhëresë të tillë nga Gjykata Themelore e Leskovcit, e ka pranuar edhe ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Klina e Epërme e Skenderajt, Hashim Mecinaj.

Ai u urdhërua të paraqitet pranë Shërbimit Korrektues në Nish më 1 korrik të këtij viti, për siç është thënë, vuajtjen e dënimit me burgim prej 13 vjetësh, bazuar në një vendim të vitit 2013 nga Gjykata e Apelit në Kragujevc. Nëse ai nuk i përgjigjet urdhrit, në dokument shkruhet se ai do të detyrohet me forcë ta zbatojë atë.

Gjykata e Apelit në Kragujevc konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Mecinaj ështe dënuar për dy akuza për terrorizëm. Pa specifikuar detajet e aktgjykimit, Gjykata vetëm thekson se veprat ishin kryer më”10 korrik 1998 në fshatin Klinë e Epërme në një pikë kontrolli të sigurisë dhe më 15 korrik 1998 në zonën e të njëjtit fshat”.

Pas ankesës së Prokurorit, për një dënim të vetëm me gjashtë vjet burgim, Gjykata e Apelit e ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës së Lartë në Kralevë, vetëm në lidhje me kohëzgjatjen e dënimit. Konkretisht, Hashim Mecinaj u shpall fajtor për dy akuza për terrorizëm.

Në fakt, pas apelit të Prokurorit të Lartë Publik për një dënim të vetëm me gjashtë vjet burgim, kjo Gjykatë ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës së Lartë në Kralevë vetëm në lidhje me kohëzgjatjen e dënimit.

Përkatësisht, Hashim Mecinajn gjykata e shkallës së parë e kishte dënuar, për dy vepra të terrorizmit, me 10 vjet burgim,e me një tjetër vendim të Apelit në Kragujevc ai u dënua me 13 vjet burgim.

Përndryshe, Mecinaj ka qenë në burgjet serbe edhe në vitet 1998 deri më 2002. Në familjen e tij kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se ai nuk ndihet mirë prandaj e ka të pamundur të flasë.

Djali i tij, Egzoni, ka thënë se prindi i tij, në lidhje me këtë urdhër, është njoftuar nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega Skënderaj.

“Babai i ka mbajtur katër vjet burgim, tash i është kërkuar që t’i mbajë edhe 13 vjet tjera, është shqetësim, është puna që është i lodhur edhe psikikisht, mosha e të gjitha. Jemi të shqetësuar. Është problemi që tash nuk mund të lëvizë i lirë. Si ta kapin, mund ta burgosin. Jemi të shqetësuar si familje, por edhe ky vetë”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë e Kosovës, thotë se e ka paralajmëruar Hashim Mecinajn, vetëm për atë që mund t’i ndodhë në rast se udhëton jashtë Kosovës.

Kjo ministri konfirmoi për REL, se Zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, e ka përcjellë një kërkesë të organeve gjyqësore serbe nga Ministria e Drejtësisë e Serbisë, përmes së cilës kërkohej që shtetasi i Republikës së Kosovës, Hashim Mecinaj, të paraqitej në Serbi për të vuajtur dënimin e shqiptuar ndaj tij.

Përndryshe, bashkëpunimi i dy ministrive zhvillohet përmes Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.

“Meqenëse ky gjykim ka qenë në kundërshtim të plotë me Konventat e KE-së dhe të OKB-së, Ministria e Drejtësisë ka kontaktuar Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Dega në Skënderaj dhe janë pajtuar që të njoftohet Mecina me këtë lëndë, për ta paralajmëruar dhe për t’i sqaruar të njëjtit se mund të ketë pasoja shumë të rënda nëse lëviz nga territori i Kosovës, pasi mbi bazën e këtij gjykimi i njëjti mund të arrestohet dhe më pas të ekstradohet në Serbi në vuajtje të dënimit ku edhe mund të torturohet dhe të trajtohet në mënyrë çnjerëzore”, thuhet në një përgjigje të ministrisë.

Po ashtu, aty theksohet se lidhur me këtë urdhër të autoriteteve serbe ndaj një qytetari të Kosovës, është informuar edhe zyra e BE-së dhe se është kërkuar që të njoftohet edhe Brukseli për këtë “shkelje flagrante të të drejtave të njeriut” e cila është në “në kundërshtim me konventat e Këshillit të Evropës dhe Kombeve të Bashkuara, në të cilat Serbia është palë dhe është e obliguar t’i zbatojë ato”.

“Konsiderojmë se ngjashëm si edhe në të kaluarën, kjo është shkelje e juridiksionit të Republikës së Kosovës, ngase askush nuk ka të drejtë të zhvillojë procedurë penale ndaj shtetasve të Kosovës, për ndodhitë që dyshohet që kanë ndodhur në territorin e Republikës së Kosovës përveç organeve gjyqësore të saj”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe ministri i Drejtësisë i Kosovës, Abelard Tahiri.

Ai ka thënë se edhe pas “një jave nga arrestimi i një shtetasi të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Tomor Morina, mbi bazën e një urdhri arresti ndërkombëtar serb, Serbia vazhdon të shkelë të drejtat e njeriut me gjykime të nxjerra në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, si në çështjen e Hashim Mecinajt”.

“Është evidente se Aleksandër Vuçiqi nuk shkëputet nga trashëgimia e Millosheviqit, por me shtetasit tonë do të humbë më keq se tutori i tij”, ka thënë Tahiri.

Në Ministrinë e Jashtme të Kosovës thonë se ky është edhe një provokim i Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës që bëhet në sy të bashkësisë ndërkombëtare.

„Do të thotë Serbia iu dërgon letra pengjeve të luftës, atyre qe i mbijetuan tmerrit dhe terrorit të organizuar nga aparati shtetëror serb. Të gjitha këto veprime i bën pavarësisht faktit që fati i më shumë se 1800 personave të rrëmbyer nga shteti serb gjatë luftës ende nuk dihet. Dhe, mos harroni, kriminelet e luftës ende udhëheqin shtetin në Serbi. Serbia po e mbyt të ardhmen paqësore të rajonit të Ballkanit”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Jetlir Zyberaj, shefi i kabinetit të ministrit të Punëve të Jashtme.

Avokati Mihailo Pavloviq, të cilin Fondi për të Drejtën Humanitare e angazhoi në korrik të vitit 2017 për të analizuar tërë praktikën gjyqësore nga viti 1998-2000, thotë se proceset gjyqësore në atë kohë përfshinin shkelje të mëdha të së drejtës për një gjykim të drejtë.

“Në atë kohë, Fondi mblodhi një mori dosjesh gjyqësore në të gjithë Serbinë, nga të gjitha ato gjykata që po zhvillonin ato procese gjyqësore. Janë marrë rreth 10,000 faqe të të gjitha dokumenteve gjyqësore. Të gjitha këto gjykime, të cilat u zhvilluan gjatë asaj periudhe ndërmjet 1998 dhe 2000, u kryen në territorin e Serbisë. Këto ishin gjyqe që janë përcjellë me shkelje të mëdha të së drejtës për një gjykim të drejtë. Të pandehurit që, në parim, kanë rënë viktimë e të gjitha këtyre veprimeve, janë njerëzit, të cilëve sot u dërgohen ftesa për vuajtje të dënimit, të cilët objektivisht nuk u është dhënë mundësia të mbrohen, të cilët nuk kanë arritur të paraqesin prova, argumentet e të cilëve, nuk janë marrë parasysh”, ka theksuar Pavloviq.

Ai ka shtuar se “këta njerëz po përdoren për qëllime politike ditore dhe se e gjithë kjo nuk mund të jetë e frytshme dhe pengon bashkëpunimin e Serbisë dhe Kosovës”.

Besohet se çështja e Hashim Mecinajt ka qenë një lëndë para Gjykatës Themelore Serbe në Mitrovicë, e cila u transferua në Kralevë pas vitit 1999, ku Mecinaj u dënua me 10 vjet burgim.

Kujtojmë që pasi institucionet e Serbisë humbën kontrollin mbi Kosovën, administrata e disa komunave të Kosovës janë transferuar në komunat e Serbisë. Kjo është arsyeja që edhe çështja e Mecinajt, përfundoi në gjykatën e Kralevës në Serbi.

Më vonë, Gjykata kompetente e Apelit në Kragujevc e ktheu dënimin e tij në 13 vjet dhe më pas ia referoi çështjen Gjykatës Themelore Serbe në Mitrovicë, e cila nuk mundi të vazhdojë procesin.

Pas integrimit të Gjyqësorit në Kosovë, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë, çështja iu referua Gjykatës Themelore në Leskovc.

Gjykata e Apelit në Kraguejvc nuk mund të thotë se sa lëndë janë ende në pritje ndaj shqiptarëve nga Kosova që u dënuan nga gjykatat serbe për akte të ngjashme, sepse siç është thënë në përgjigje “për shkak të pushimeve, disa shërbime gjyqësore nuk po funksionojnë”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme