Opozita venezuelase: Bisedimet do të rifillojnë këtë javë

20:00 | 31 Korrik 2019
Arbresh.info

Përfaqësuesi i kreut të opozitës së Venezuelës në SHBA, Carlos Vecchio ka deklaruar se qeveria dhe opozita këtë javë do të rifillojnë bisedimet për të zgjidhur trazirat politike në vendin e Amerikës së Jugut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Megjithatë, sipas “Washington Post”, Vecchio nuk specifikoi datën dhe vendin e takimit.

Duke folur të martën në Klubin Kombëtar të Shtypit në Washington, Vecchio tha se ai pret një rezolutë për bllokimin e trazirave deri në fund të vitit, duke shtuar se presidenti venezuelian, Nicolas Maduro, është “një pengesë për paqen” dhe se ai duhet të largohet nga detyra.

I penguar nga kundërshtimi i ushtrisë së Venezuelës dhe sfidat popullore për legjitimitetin e tij, delegacioni i kreut të opozitës Juan Guaido mori pjesë në nismat në Oslo dhe Barbados për bisedime me qeverinë.

Megjithëse bisedimet në Oslo në maj nuk ishin të frytshme, palët ende nuk janë prononcuar qartë për përmbajtjen e bisedimeve në Barbados në fillim të këtij muaji.

Guaido vazhdon me retorikën e tij të ashpër kundër qeverisë përkundër “bisedimeve të paqes” që vazhdojnë ndërsa Maduro dhe delegacioni i tij e quajnë procesin e dialogut “të suksesshëm”.

Rusia nuk merr pjesë në takimin e Perusë

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë njoftoi se Moska nuk do të marrë pjesë në takimin e veçantë ndërkombëtar për krizën politike në Venezuelë, e cila është planifikuar të mbahet më 6 gusht në Lima të Perusë.

Ministria tha se Rusia “analizoi me kujdes” qëllimet dhe objektivat e përcaktuara nga organizatorët dhe ka “disa dyshime serioze”.

“Para së gjithash, nuk jemi të bindur për korrektësinë e qasjes në të cilën diskutimi i problemeve të demokracisë në Venezuelë do të zhvillohet pa venezuelianët, përfaqësuar nga qeveria e Maduros dhe forcat e tjera politike”, tha ministria ruse, duke iu referuar vendimit të Perusë për të mos ftuar Qeverinë e Venezuelës dhe opozitën për “parandalimin e polarizimit”.

“Nuk jemi të sigurt se një takim një-ditor me pjesëmarrjen e deklaruar të rreth 100 delegacioneve që kanë qëndrime të ndryshme mund të hartojë masat e ndihmës së vërtetë në gjetjen e zgjidhjeve për problemet komplekse me të cilat po merret ky vend”, theksoi ministria.

Në fillim të muajit korrik, Peruja ftoi 100 vende përfshirë Turqinë, Rusinë dhe Kinën për të marrë pjesë në takimin për trazirat politike në Venezuelë.

Trazirat politike midis Maduros dhe Guaidos kanë vazhduar në Venezuelë që nga 10 janari.

Guaido në janar u vetëshpall president i Venezuelës, duke e quajtur rizgjedhjen e Maduros në vitin 2018 si një mashtrim, veprim i njohur nga më shumë se 50 vende, përfshirë SHBA-të.

Por, institucionet shtetërore në Venezuelë, si dhe ushtria kanë kaluar mbështetjen e tyre pas Maduros.

Rusia, Turqia, Kina, Irani, Bolivia dhe Meksika po ashtu mbështetën Maduron si udhëheqës legjitim të vendit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme