Mustafa flet për zgjedhjet e brendshme të LDK-së

19:50 | 30 Korrik 2019
Arbresh.info

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka folur pas mbajtjes së Kuvendit të Nëntë Zgjedhor të kësaj partie.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa ka shkruar se është parti lidere se më e madhja për nga mosha demokratike.

“Më 3 gusht të këtij viti, LDK mban Kuvendin e Nëntë Zgjedhor. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës kjo është një ngjarje e rëndësishme. Është, domosdo, e rëndësishme edhe për Kosovën nga se LDK është parti lidere në vend, jo vetëm për nga madhësia por edhe për nga mosha demokratike, duke i mbushur sivjet 30 vjet”, ka shkruar Mustafa.

Tutje lideri i LDK-së, ka folur edhe për ata të cilët po thumbojnë partinë e tij për gjuajtjet me karrige. Mustafa është shprehur se nuk i merr për seriozisht dhe i quan të papjekur ata që ju dëshirojnë karriga.

“Kam pritur dhe pres që edhe kundërshtarët tanë politik të na urojnë punë të mbarë. Nuk i marr serioz as të pjekur ata që na dëshirojnë karriga. Sepse gabojnë. Ulin nivelin e tyre. Në një konkurrencë shumëpartiake ne duhet ta mundim njëritjetrin me vota të qytetarëve, me asgjë tjetër. I marr të prapambetur për nga koha edhe ata që flasin për klika brënda LDK-së. Të tillët kanë rrëshqitur diku në pellgun e fjalorit dhe mendësisë që nuk është e LDK-së”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa ka thënë se “LDK nuk është përzier dhe nuk ka lobuar për të keq gjatë zgjedhjeve të asnjë partie. Nuk i kemi komentuar as rezultatet e zgjedhjeve të tyre. Kosovës i nevojiten parti të shëndosha, i nevojiten relacione të shëndosha ndërmjet subjekteve politike, i nevojitet konkurrencë e fortë dhe demokratike”.

Në fund ai është shprehur se “LDK do të dal e fortë dhe unike në Kuvendin e Nëntë Zgjedhor. LDK do të dal e para në zgjedhjet nacionale, në shtator të këtij viti. LDK nuk do të bëjë koalicion me ata që nuk e meritojnë, por nuk do të kultivojë urrejtje patologjike ndaj askujt. Sepse njerëzit e çdo partie politike janë njerëz të Kosovës me ide të ndryshme, janë njerëzit tanë”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme