“Polici i hekurt” i Evropës Anton Cena e bën krenare Kosovën dhe Policinë e Kosovës

11:52 | 29 Korrik 2019
L G

Anton Cena ia zbardhi fytyrën edhe një herë vendit të tij – Kosovës, por edhe shqiptarëve në përgjithësi.

Punëtori i palodhshëm sportiv u shpall kampion i Evropës për veteranë në xhudo, ndërsa u bë edhe nënkampion i Evropës duke e përfaqësuar Italinë.

Cena, i cili është pjesëtar i Policisë së Kosovës bëri që në vendin që nuk e njeh Kosovën ta ngritet flamuri i shtetit tonë.

Pa diskutim, Cena është polici më i përgatitur në Evropë.

Ai tregon gjithçka rreth eksperiencës që e pati në Spanjë, e cila ishte mjaft e suksesshme.

“Para Policisë së Kosovës dhe flamurit të Shtetit tonë, u përulën e u ngritën në këmbë të gjithë, pikërisht në shtetin që pavarësinë tonë vazhdon të mos e njohë – Spanjë. Tri ditë të zjarrta lufte, tri ditë krenari të mbushur dedikuar vendit tim, tri ditë radhazi emocion atdhedashurie… Ju rikujtoj që vjet e bëra Suedinë Kampion Evrope ndërsa sivjet kam kënaqësinë të ju njoftoj që Italianët i bëra NënKampion Evrope, pra ky është titulli që mora në këtë finale, si përfaqësues i shtetit Italian dhe me këtë medalje do të kthehem në Kosovë”, ka shkruar Cena në Facebook.

“Atje më quajtën ‘polic i hekurt’, luftërat e zhvilluara ishin kundër sportistëve më të rinj në moshë, por unë përgatitem ditë e natë që mosha ime të jetë vetëm shifër dhe jo element suksesi. Flamurin e Kosovës do ta ngris edhe në Maroko e Kinë e Meksikë, andaj uroj të mos më mungojë mbështetja. Falënderim i veçantë shkon për Policinë e Kosovës, pika ime e parë e përkrahjes në çdo garë, një falënderim për miqtë e mi Valon Kastratin, Burim Rekën, Valdet Thaqin, Anton Qunin dhe shitoren më të madhe në Kosovë për veshje sportive, Melodia PX. Pa ju, nuk do të kisha arritur të bëj këtë rrugëtim të radhës. Kampioni i palodhshëm”, ka shkruar në fund Cena. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme