Vietnami konfiskon 125 kilogramë brirë rinoqeronti, vlejnë 7.5 milionë dollarë

08:45 | 29 Korrik 2019
L G

Më shumë se 125 kilogramë brirë rinoqeronti janë konfiskuar nga autoritetet e Vietnamit në një nga rastet më mëdha të trafikimit të pjesëve të trupit të kafshëve në Azinë Juglindore.

Këta brirë, të cilët ishin kontrabanduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe përmes një aeroplani të kompanisë “Etihad Airways”, u gjetën në aeroportin e Hanoit. Brirët ishin të mbështjellë me një shtresë të llaçit të trashë. Policisë iu nevojit gjysmë dite për t’i hapur 55 paketimet me brirë rinoqeronti.

Banorët e Vietnamit besojnë se pluhuri i prodhuar nga brirët e rinoqerontit ka veti shëruese për të gjitha sëmundjet, përfshirë kancerin. Për këtë arsye, britët e kësaj kafshe kanë çmim të lartë në tregun e zi dhe shiten deri 60 mijë dollarë për kilogram. Sasia e konfiskuar në aeroportin e Hanoit besohet se do të shitej për 7.5 milionë dollarë.

Ky konfiskim është pjesë e një plani më të gjerë të autoriteteve në Vietnam kundër një rrjeti trafikuesish të pjesëve të kafshëve në tregun e zi. Raportohet se në këtë treg qarkullojnë miliona dollarë. Në mesin e pjesëve të kafshëve që shiten janë edhe lëkura dhe mishi i tigrit.

Javën e kaluar, policia e Vietnamit i gjeti shtatë trupa të ngrirë të tigrave të rinj në bagazhin e një veture në Hanoi. Besohet se tigrat e vrarë ishin trafikuar nga Laosi. Pjesët e trupit të tyre përdoren në mjekësinë popullore, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme