Serbia u dërgon ftesa shqiptarëve për burg në Nish

08:05 | 29 Korrik 2019
Arbresh.info

Hashim Mecinaj, nga Klina e Epërme e Skenderajt, ka pranuar një urdhër-ftesë që të paraqitet në Burgun e Nishit më 1 korrik 2019 për ta mbajtur dënimin prej 13 vjetësh burg, që i është shqiptuar me aktvendimin e Gjykatës së Apelit në Kragujevc më 23.12.2013.

Gjykata e Leskovcit e kishte dënuar Mecinajn me 20 vjet burg për dy vepra penale, të kryera gjatë luftës në Kosovës, të cilat sipas ligjeve të Serbisë së asaj kohe janë kualifikuar si “Terrorizëm”, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Të gjithë të burgosurve shqiptarë që kanë vuajtur dënimin nëpër burgje të Serbisë dhe të cilët janë dënuar me akuzat për “Terrorizëm” nga gjykatat atje gjatë luftës dhe menjëherë pas përfundimit të luftës, por edhe që janë kthyer në Kosovë, duke u bazuar në ftesat e gjykatave të Serbisë, u kërkohet të kthehen sërish nëpër burgjet serbe për ta mbajtur dënimin me burg që u ka mbetur. Gjykatat serbe kanë filluar t’u dërgojnë ftesa shqiptarëve, duke i urdhëruar të paraqiten në shërbimet korrektuese përmirësuese për ta mbajtur dënimin, duke u kërcënuar se nëse nuk paraqiten sipas ftesës, “atëherë ata do të sillen me dhunë” nëpër burgjet e Serbisë. Një ftesë të tillë e ka marrë para pak ditëve Hashim Mecinaj, nga Klina e Epërme e Skenderajt.

Mecinaj, i cili gjatë luftës ishte rrëmbyer nga Policia dhe Ushtria serbe në fshatin e tij, në Klinë të Epërme të Skenderajt, do të duhej të paraqitej në Burgun e Nishit më 1 korrik të këtij viti për ta mbajtur dënimin prej 13 vjetësh burg, që ia kishte shqiptuar Gjykata e Apelit në Kragujevc të Serbisë. Në fakt Mecinaj, i cili edhe me shumë shqiptarë të tjerë ishte rrëmbyer gjatë luftës në Kosovë dhe ishte dërguar në Serbi, ishte dënuar me 20 vjet burg për “Terrorizëm”, ndërsa në barrë i vihen dy vepra penale: “Sulmi mbi patrullën serbe të Policisë”, më 10 korrik 1998, me ç’rast ishin plagosur 3 policë serbë dhe për “Sulmin e armatosur” mbi autobusin që qarkullonte nga Skenderaj për në Mitrovicë përplot me policë serbë, me ç’rast ishin plagosur rendë dhe lehtë mbi 20 policë.

I habitur tej mase, Mecinaj i ka thënë “Zërit”, të dielën, se ftesën për t’u paraqitur në Burgun e Nishit për ta mbajtur dënimin ia ka dërguar Policia.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme