Një 9 vjeçar rrezikon të mbytet në Vlorë

18:38 | 28 Korrik 2019
Arbresh Info

Një tjetër rast i rrezikut të mbytjes është regjistruar këtë të dielë në plazhet e Shqipërisë, kësaj here në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë.

Një fëmijë 9 vjeçar ka rrezikuar të mbytet, teksa ka hasur vështirësi gjatë notimit. Fatmirësisht roja e plazhit ka qenë prezent dhe së bashku me një patrullë të policisë kanë bërë të mundur shpëtimin e tij.

Ky është rasti i disatë ku pushues kanë rrezikuar jetën. Orët e paradites dy persona u mbytën në plazhin e Durrësit, ndërsa në Velipojë një pushues nga Kosova u arrit të shpëtohej nga roja bregdetare. Po ashtu në Velipojë është shmangur një tragjedi, ku 14 pushuesve të tjerë i është rrezikuar jeta.

Ndryshimet e befta të motit këtë të dielë kanë sjellë në plazhet shqiptare një rritje të forcës së erës dhe dallgëzimit në det, duke e kthyer kësisoj plazhin në një rrezik potencial për turistët dhe qytetarët.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme