Google ADS

Talibanët vrasin dhjetë ushtarë pakistanezë

09:42 | 28 Korrik 2019
L G

Ushtria e Pakistanit ka thënë se të paktën 10 ushtarë janë vrarë në disa sulme të militantëve talibanë në Vaziristanin Verior dhe Baloçistan.

Në sulmin e parë, ushtria tha se gjashtë ushtarë u vranë kur ekstremistët nga ana afgane e kufirit e sulmuan me armë zjarri një patrullë në rajonin e Vaziristanit Verior.

Përgjegjësinë për këtë sulm e morën talibanët e Pakistanit, të cilët njihen me emrin Tehrik Taliban. Ata kanë kryer sulme kundër forcave pakistaneze të sigurisë edhe në të kaluarën.

Në një sulm tjetër, tre ushtarë dhe një zyrtar i forcave paramilitare u vranë nga terroristët në rajonin jugperëndimor të Baloçistanit.

Militantët e këtij grupi ishin edhe më të pranishëm në Vaziristanin Verior para vitit 2014. Atë vit, ushtria e Pakistanit e kishte nisur një ofensivë kundër tyre dhe shumica kishin ikur në Afganistan.

Në mars të vitit 2017, Pakistani e filloi ndërtimin e rrethojës së metaltë përgjatë 2600 kilometrave të kufirit me Afganistanin për ta penguar lëvizjen e militantëve dhe kryerjen e sulmeve në zonën kufitare.

Ky rajon ka qenë skenë e operacioneve të përgjakshme të ushtrisë së Pakistanit, sulmeve me dronë dhe sulmeve të militantëve, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme