Gjykata Speciale ka shkaktuar “tërmet” politik në Kosovë me ftesat e fundit që i ka dërguar në drejtim të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit javën që shkoi pikërisht për shkak të ftesës që mori nga kjo Gjykatë. Pos tij, gjatë shtatë muajve të fundit për intervistim janë ftuar edhe dhjetëra ish-eprorë të tjerë të UÇK-së.
Meqë për Gjykatën Speciale është votuar në Kuvendin e Kosovës, sipas ish-komandantit të Forcave Speciale të UÇK-së, Anton Qunit është pritur që Specialja do të fillojë ta konkretizojë veprimtarinë e saj, duke ngritur raste dhe duke ftuar ish-ushtarë të UÇK-së në intervistim, qoftë si të dyshuar ose si dëshmitarë.
“Klasa politike ka qenë e vetëdijshme se Kosova herët ose vonë ka për të kaluar nëpër këtë proces, që na është bërë e ditur se është i pashmangshëm kur na është kërkuar ta votojmë Gjykatën Speciale”, ka deklaruar Quni për “Zërin”.
Shkuarja e Ramush Haradinajt për intervistim, duke dhënë paraprakisht dorëheqje nga pozita e shefit të ekzekutivit, sipas Qunit është për t’u vlerësuar pozitivisht.
“Atje ai është paraqitur i zhveshur nga përfaqësimi institucional i vendit. Një shembull i tillë do të ishte mirë të ndiqej nga secili zyrtar shtetëror në rast se ftohet nga Gjykata Speciale”, ka shtuar ai.
Pavarësisht ftesave të shumta që kanë ardhur në drejtim të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Quni ka konsideruar se lufta e UÇK-së si tërësi nuk mund të njolloset nga asgjë. Por megjithëkëtë sipas tij janë individët që do të përballen me drejtësinë dhe që do të gjykohen.
“Unë shpresoj që proceset e mundshme të cilat do të hapen nga Gjykata Speciale t’i kalojmë me sa më pak dhimbje e tronditje. Kosova është mbi ne të gjithë, të gjithë ne ia kemi borxh përmbylljen e çështjeve të hapura e me pikëpyetje, në mënyrë që brezat e ardhshëm ta kenë qartësinë e së kaluarës, që do të sillte qetësinë e duhur për të ecur përpara me angazhimin për konsolidim të shtetësisë së Kosovës”, është shprehur Quni, i cili njëherësh është deputet i LDK-së.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...