Kryeministri i ri britanik, Boris Johnson konfirmoi se është në favor të daljes së Britanisë nga BE-ja në bazë të një marrëveshjeje.
Megjithatë, ai paralajmëroi evropianët se nuk mund të arrihet një marrëveshje për sa kohë që BE-ja e kushtëzon daljen me çështjen e kufirit me Irlandën. Kryeministri Johnson mendon se populli britanik sidoqoftë dëshiron të përmbushet procesi i largimit të vendit nga Bashkimi Evropian.
Kryeministri britanik Boris Johnson paralajmëroi sot se nëse Bashkimi Evropian dëshiron të arrijë një marrëveshje, atëherë BE-ja duhet të heqë nga tryeza e bisedimeve çështjen e Irlandës, e cila sipas tij është një pengesë jodemokratike.
Duke folur nga qyteti i Mançesterit, ndërsa në sfond shfaqej në lokomotivë e shekullit të 19-të, Kryeministri i ri britanik qartësoi se ai nuk është kundër daljes nga BE-ja me një marrëveshje Brexit.
“Miqtë e mi, unë nuk dëshiroj largimin nga BE-ja pa një marrëveshje. Nuk kam këtë synim. Por, duhet të përballemi me faktin se për momentin, ashtu si gjatë tre viteve të fundit, po na thonë se kjo është oferta dhe se nuk mund të ndryshohet. Nuk e besoj këtë gjë, por sidoqoftë, në shenjë mirëbesimi dhe miqësie me partnerët tanë evropianë, ne do t’i vazhdojmë bisedimet për të arritur kushtet që duhen. Mendoj se populli i këtij vendi do të donte ta mbaronim këtë punë dhe të largoheshim (nga BE-ja)”, deklaroi Kryeministri Johnson.
Ai konfirmoi se dëshiron të veprojë në frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit, por qartësoi se kjo nuk mund të realizohet për sa kohë vazhdon t’u bashkëngjitet bisedimeve çështja e Irlandës, e cila sipas tij po përçan Britaninë.
“Nëse e heqim këtë pengesë, atëherë do të arrijmë shumë progres. Dhe për sa i përket pyetjes nëse miqtë e mi në bregun matanë po tregohen më të ngrohtë me mua, ne gjithnjë kemi patur marrëdhënie shumë të mira. Unë vetë nganjëherë befasohem nga komentet që shikoj, pasi marrëdhëniet me udhëheqësit evropianë i kam patur gjithnjë shumë të mira. Madje do t’i forcojmë edhe më tej”, tha Kryeministri Johnson.
Sipas marrëveshjes së negociuar nga ish-Kryeministrja May, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdonte të ishte pjesë e bashkimit doganor derisa të gjendej një zgjidhje për të shmangur rivendosjen e kufirit me Irlandën.
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...