Analistët: Kosova tani është në fazën më kritike

08:23 | 27 Korrik 2019
Arbresh.info

Sot bëhen një javë, që kur Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i Kryeministrit, pas ftesës që ka marrë nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

E, Kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj ka thirr mbledhje të qeverisë. Ani pse Kushtetuta thotë që me dorëheqjen e kryeministrit rrëzohet e gjithë qeveria.

Kjo, sipas njohësve të zhvillimeve politike, nuk duhet të ndodhë.  Madje, ata thonë se Kosova tani është në fazën më kritike.

Analisti politik Ramush Tahiri vlerëson se Kryeministri ka dhënë dorëheqje dhe nuk ka të drejtë të shkojë më në Qeveri, dhe sipas tij tani është person privat dhe nuk i takon asnjë benefit zyrtar.

“Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje dhe kjo është e përfunduar. Nuk shkon në Qeveri dhe nuk udhëheq mbledhje. Qeveria punon deri në zgjedhjen e Qeverise së re të Republikës së Kosovës. Mbledhjet e qeverisë udhëhiqen nga njeri prej zëvendëskryeministrave. Kësi rasti kemi pasur edhe në vitin 2005 edhe në vitin 2017.  Kjo e fundit ishte ndryshe se e gjithë qeveria ishte rrezuar me votëbesim. Ndoshta më e përafërt ishte gjendja kur me dorëheqjen e Presidentit Fatmir Sejdiu edhe LDK doli nga Qeveria dhe ministrat e saj u tërhoqën dhe nuk u zëvendësuan deri në zgjedhjen e qeverisë se re. Interesante ishte Ministria e Drejtësisë që në mungesë ministri dhe zëvendës ministri udhëhiqej nga Sekretari i Ministrisë  zotëri Sylejman Syla. Pra kur bjen Qeveria nuk ka vakum institucional sepse vazhdon punën deri në pranim dorëzimin e detyrës me Qeverinë e re, por Kryeministri ka dhënë dorëheqje dhe nuk ka të drejtë të shkojë më në Qeveri prej kësaj date. Ai është person privat dhe nuk i takon asnjë benefit zyrtar”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, Analisti politik Armend Muja thotë se, Faktori ndërkombëtar do të kërkojë një figurë dhe koalicion të ri, pasi që Kosova tani është në fazën më kritike.

“Z.Haradinaj ka dorëzuar dorëheqjen e parevokueshme, të udhëzuar deklarativisht nga parimi se nuk është mirë të paraqitet në Hagë në cilësi të Kryeministrit. Sipas Kushtetutës neni 95.5 në këtë rast Qeveria bie, dhe i takon Presidentit të mandatoj një kandidat nga koalicioni qe ka fituar shumicën [relative]. Natyrisht vendit i duhet një figurë kujdestare deri në procesin e mandatimit apo shkuarjes në zgjedhje. Megjithatë, në bazë të zakonit kushtetues, Z.Haradinaj konsiderohet i dorëhequr dhe detyrat ex officio i takojnë Zv.Kryeministrit të Parë nga koalicioni njëjte qeverisës. Unë  nuk parashoh ndonjë lëvizje tektonike në skenën politike të Kosovës”.

Tutje krahason se jemi në një moment të ngjashëm Gruevski-Zaev.

“Faktori ndërkombëtar do të kërkoj një figurë dhe koalicion të ri qe i shmanget praktikes së shpikjes së kauzave fiktive dhe ndeshjes me Perëndimin. Kosova është në fazën më kritike – Qeveria duhet të jetë për ose kundër Evropës. Jemi përballë një momenti të ngjashëm Gruevski/Zaev. Ne mund te zgjedhim kursin e popullzimit all Gruevski por të zbehim perspektiven tonë, apo arsyes dhe hapjes së Kosovës ndaj BE-së”, tha Muja.

Gjithashtu edhe analisti politik Fatmir Sheholli tha se, Kushtetuta do ta parashohë se a mundet një qeveri në dorëheqje të marrë ose jo vendime.

“Z.Haradinaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme, që do të thotë të pakthyeshme. Është gjykata kushtetuese që duhet të jep mendimin për këtë çështje. Ne analistet nuk jemi të thirrur të japim vlerësim për këtë çështje. Kushtetuta e parasheh a mundet një qeveri në dorëheqje të marr ose jo vendime. Është e bardhë në të zezë në kushtetute.  Sa i përket zgjedhjeve konsiderojë që kushtetuta e sqaron kjart veprimet në rast të dorëheqjes. Interpretimi duhet të jetë i saktë dhe kushtetues”, ka thënë Sheholli.

Ndryshe, Haradinaj kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme të premten e kaluar, me arsyetimin e është ftuar për intervistim nga prokurorët e Gjykatës Speciale, në Hagë. Po ashtu ende nuk është ndërmarr ndonjë hap konkret për krijimin e një qeverie teknike, apo shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme./ A.Zeka/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme