Google ADS

Opozita në pritje të takimit me presidentin për caktimin e zgjedhjeve të parakohshme

08:01 | 25 Korrik 2019
V. S.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të presë presidentin për të ftuar partitë në vend për të caktuar datën  zgjedhjeve, por do të marrë vendime në përputhje me Kushtetutën.

Të paktën kështu është shprehur zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

Në një përgjigje dhënë Arbresh.info, Mustafa, ka thënë se ende LDK nuk ka pranuar ndonjë ftesë nga Presidenti për konsulta rreth datës së zgjedhjeve të parakohshme.

“Lidhja Demokratike nuk ka pranuar ftesë nga Presidenti i vendit për konsultime rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve të parakohshme. LDK si gjithnjë i paraprin proceseve të mëdha në vend; edhe kësaj radhe, nuk e presim Presidentin Thaçi, por do të veprojmë konform normave dhe afateve kushtetuese. Vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme që qytetarët e Kosovës të zgjedhin udhëheqësinë e re të shtetit me legjitimitetin e plotë të votës së lirë”, ka përfunduar Mustafa.

Se ende s’kanë marrë ndonjë ftesë nga presidenti Hashim Thaçi e thonë edhe në Lëvizjen Vetëvendosje.

Vetëm se këta për dallim nga LDK-ja, nuk kanë në mendje të ndërmarrin ndonjë vendim.

Deputeti Ismajl Kurteshi, ka treguar se presin që Presidenti t’i ftojë partitë për të caktuar datën, ndërsa shton se nuk do të marrin pjesë nëse ky takim ka ndonjë qëllim tjetër për shtyrjen e zgjedhjeve.

“Pas deklarimeve të gjitha subjekteve politike parlamentare se janë për zgjedhje sa më parë është e logjikshme që Presidenti ti thërret në një takim partitë dhe të caktoj datën e zgjedhjeve. E kemi pasur dyshimin se Presidenti do të mundohet ta zvarris këtë proces dhe të mundohet të bëjë diçka kundër kushtetueses. Deri tash nuk e di se partitë kanë diskutuar që vetë ta shpartallojnë kuvendin por si dihet. Kjo është java e parë pas dorëheqjes dhe mendoj se duhet të presim edhe përfundimin e kësaj jave dhe Presidenti të ftojë partitë në një tryezë për të caktuar ditën e zgjedhjeve. Ne s’do të marrim pjesë në asnjë takim ku presidentit do të ja ofronte dikujt mandatin për të bërë një Qeveri të re”, ka përfunduar Kurteshi.

Kujtojmë se që nga e premtja e kaluar vendi ynë ka mbetur në një pikëpyetje të madhe, krejt kjo pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ftesa nga Gjykata Speciale ka bërë që kryeministri në detyrë që të lirojë këtë post.

Ndonëse pas këtij vendimi të gjitha partitë njëzëri kanë shprehur gatishmërinë që të shkojnë në zgjedhje të parakohshme./V.Selimi/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme