Zhvillimi ekonomik i vendit duhet të jetë prioritet strategjik dhe për këtë shkak dëshiroj të vendos theks në diplomacinë ekonomike, tha presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në takimin e sotëm punues me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP).
Pendarovski para anëtarëve të OEMVP tha se përveç komponentës diplomatike, në vizitat e tij ndërkombëtare do të përfaqësohet edhe aspekti ekonomik.
“Për të gjitha vizitat ndërkombëtare, biznes bashkësia do të informohet me kohë, ndërsa Kabineti do të ketë kontakte dhe bashkëpunim të vazhdueshëm, që të mund të transmetohen qëndrimet e tyre, gjë që nënkupton përmirësimin e relacioneve ekonomike”, tha Pendarovski.
Ai porositi se në përfaqësitë diplomatiko-konsullore nevojitet edhe përbërje e mirë personale dhe ekip që merret vesh në ekonomi reale.
Promotorët ekonomikë të Qeverisë paraprake e kanë kushtuar shtetin shumë para, e nuk i kthyen investimet e pritura.
Vendimi i Qeverisë së atëhershme që promotorët ekonomikë të shkojnë nëpër firma, të lënë kartvizitat dhe të sqarojnë për gjendjen ekonomike në vend. Efektet e këtyre promotorëve ekonomikë janë zero dhe pa kurrfarë efektesh”, tha Pendarovski.
Para shefit të shtetit, në takimin u prezantua puna, struktura dhe aktivitetet e Odës.
Afaristët me këtë rast kërkuan nga Pendarovski stabilitet më të madh në procedurën e miratimit të ligjeve, promovim më të madh në vendet e huaja, por edhe përfshirjen e tyre në procesin e dekorimeve për kontributet e realizuara në shoqëri.
Pendarovski potencoi se si president nuk do të nënshkruajë asnjë dekret për ligj nëse nuk është në interes të biznes bashkësisë, pasi, siç tha, ligjet e këqija e pengojnë biznesin.
Kryetari i OEMVP, Nebi Hoxha e prezantoi odën dhe kërkesat e saj.
“OEMVP si odë është gjithmonë e përkushtuar në ndërtimin e partneritetit dhe bashkëpunim me institucionet shtetërore, me qëllim që të kalohen së bashku barrierat me të cilat hasemi gjatë rrugëtimit drejt zhvillimit të shtetit tonë. Proceset e reformave dhe rruga euroatlantike kanë qenë dhe gjithmonë do të jenë të përkrahura nga ana e OEMVP-së”, tha Hoxha.
Ai shtoi se si OEMVP ka qenë dhe do të vazhdoj të jetë një odë transparente për komunitetin e biznesit në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar zgjidhje për problemet me të cilat ballafaqohet komuniteti i biznesit, si dhe duke ofruar zgjidhje për të njëjtat probleme.
“OEMVP vepron në përputhje me parimet e saja të funksionimit, të cilat janë: Transparenca dhe llogaridhënia, Zhvillimi i barabartë rajonal, Braktisja e mitit të fuqisë punëtore të lirë, Zvogëlimi i papunësisë dhe krijimi i një strategjie afatmesme për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe Rritja e PBB prej mbi katër për qind, për të arritur jo vetëm rritje ekonomike, por edhe zhvillim ekonomik. Parimet e mësipërme formojnë bazën për arritjen e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies, si dhe arritja e këtyre dhe masave të tjera të propozuara në mënyrë efikase dhe efektive është e mundur nëpërmjet përfshirjes së komunitetit të biznesit në procesin e vendimmarrjes. Ky prezantim i OEMVP-së nga ana e presidentit të shtetit Pendarovski, u mirëprit në mënyrë pozitive dhe ky takim pune është një hap drejt fillimit të bashkëpunimit mes odës dhe presidentit të shtetit”, tha Hoxha.
Presidenti Pendarovski deri tani ka realizuar takime me Odën ekonomike të Maqedonisë dhe Lidhjen e odave ekonomike të Maqedonisë.
Tragjedia në Gjermani, e përsëritur/ Sulmet terroriste në 20...
Tensionet në orët e vona, Olta: Gjesti mund ta nxirrte Xuxin...
Sulmi në Magdeburg, ambasadori i Kosovës në Gjermani: Lutjet...
Sulmi në Gjermani/Begaj: Sulmi ndaj qindra njerëzve duhet të...
Tragjedia në Gjermani: Reagojnë liderët evropianë – dërgojnë...
Tragjedia në Magdeburg po trajtohet si sulm terrorist