Edhe 5 milionë euro të buxhetit ‘të varfër’ të Kosovës i shkojnë për zgjedhje?

08:07 | 24 Korrik 2019
Arbresh.info

Pesë ditë më parë dha dorëheqje kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

E në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, organizimi i tyre do t’i kushtojë disa milionë euro buxhetit të ‘varfër’ të Republikës së Kosovës, shkruan arbresh.info.

Ndërsa brenda dy viteve organizimi i zgjedhjeve të treta do t’u marrë qytetarëve të vendit nga taksat e tyre plot 15 milionë euro.

Në vitin 2017 për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, Qeveria e vendit kishte ndarë 5 milionë euro. Në vendimin e Qeverisë thuhej se 4.944.900 mijë euro ndahen për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvend të Kosovës.

Ndërsa atë kohë pas përfundimit të procesit zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve patën deklaruan se ishin shpenzuar vetëm 4 milionë euro.

“Në bazë të raportit kostoja e përgjithshme për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të cilat janë mbajtur në qershor të vitit 2017 në total ka qenë 4 milionë euro”, patën deklaruar nga KQZ.

Ndërsa pjesa tjetër e parave ishte destinuar për mbetjen e zgjedhjeve lokale që ishin mbajtur po atë vit më 22 tetor. Ato dhe balotazhi i mbajtur në 19 komuna kishin kushtuar plot 5 milionë euro.

Atë kohë numri i votueseve të regjistruar në KQZ ishte 1 milionë e 888 mijë ndërsa KQZ del se ka shpenzuar 2.1 euro për qytetarë.

Arbresh.info ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, për të parë nëse ky institucion është gati në rast se kërkohet organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Elezi ka thënë se KQZ është gati se fillojë përgatitjen intensive sapo të shpallet procesi zgjedhor.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucion i përhershëm që detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve kurdo që kërkohet.  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrat që dalin sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fillon me përgatitjen intensive të një procesi zgjedhor vetëm pasi të shpallet ai”, ka thënë Elezi.

Kujtojmë që të premten që lamë pas kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e të parit të Qeverisë.

Haradinaj këtë lajm e ka bërë të ditur në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës teksa ka thënë se arsyeja e dorëheqjes është se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale, në cilësinë e të dyshuarit.

Ndryshe pasditen e së martës Haradinaj ka udhëtuar drejt Dhomave të Specializuara në Hagë./A.Çitaku/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme