Kadri Veseli kërkoi të caktohet data e zgjedhjeve, Xhavit Haliti ka një qëndrim tjetër

22:47 | 23 Korrik 2019
L G

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, duket se nuk është në një vijë me mendimet e liderit të partisë së tij, Kadri Veseli, sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Kadri Veseli kishte thënë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje, dhe kishte shtuar se ato janë të pashmangshme.

“Zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme”, kishte deklaruar kryeparlamentari i Kuvendit pas kthimit prej një vizite nga ShBA’ja.

Por, sipas Halitit, Kosova nuk përfiton asgjë nga këto zgjedhje, dhe vetëm do humbej kohë duke ngecur në proceset që po kalon vendi.

“Unë mendoj se zgjedhjet mund të bëhen por përveç humbjes së kohës, shpenzimeve dhe ndërprerjeve të procesit të kryerjes së projekteve tjetër sukses nuk do të kishte”, ka thënë Haliti për Gazetën Blic.

Gjithsesi Haliti ka deklaruar se partia e tij është e gatshme në qoftë se vendi futet në zgjedhje parazgjedhore.

Sa u përket koalicioneve, Haliti ka thënë se partia e tij nuk ka vija të kuqe me asnjë parti.

Kohët e fundit ka pasur shumë përçarje në Partinë Demokratike të Kosovës. Pas vendimit të Veselit që të gjithë antarët e partisë të cilët janë në pozita drejtuese dhe kanë aktakuzë duhet të japin dorëheqje, ka pasur reagime. Sami Lushtaku kishte deklaruar se partia po prishet nga pesë-gjashtë persona të caktuar por nuk kishte specifikuar se kush ishin ata.

Ndryshe, vendimi i Ramush Haradinaj për dorëheqje nga posti i kryeministrit ka bërë që vendi të ketë nevojë për një shef të ri të qeverisë. Presidenti Hashim Thaçi tani do të vendosë, së bashku me koalicionin udhëheqës, nëse do të ketë një qeveri teknike apo do të shkohet në zgjedhje të reja të parakohshme./Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme