Me rastin e 18 vjetorit të protestave të studentëve, të vitit 1997, Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina“, Ramadan Zejnullahu, ka theksuar se UP-ja jo vetëm që përjetoi të njëjtin fat me popullin, por në rrethana shpeshherë të paqarta politike, sipas tij, u bë udhërrëfyesi më besnik i orientimit të tij në “detin e trazuar” të intrigave të interesave politike, strategjike dhe financiare.
Sipas tij, studentët e Universitetit të Prishtinës, të përkrahur nga profesorët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, vendosën t’i thonë mjaft shtypjes së egër që ushtrohej mbi popullin tonë.
Më poshtë mund ta lexoni letrën e Rektorit Ramadan Zejnullahu, të shkruar në 18 vjetorin e protestave të studentëve:
NË PËRKUJTIM TË NJË TETORIT –1997
Të dashur studentë, shumë nga ju që sot studioni në Universitetin e Prishtinës, keni ardhur në jetë në kohët më të vështira që përjetoi ky Universitet dhe shoqëria jonë në përgjithësi.
Universiteti i Prishtinës jo vetëm që përjetoi të njëjtin fat me popullin, por në rrethana shpeshherë të paqarta politike u bë udhërrëfyesi më besnik i orientimit të tij në “detin e trazuar” të intrigave të interesave politike, strategjike dhe financiare.
Kaluam nëpër kohë me plot te panjohura, dhe duke qenë një Universitet që tash kishte ndërtuar identitetin e vet në shoqëri dhe udhëhiqej nga njerëz të përkushtuar në punë dhe me integritet moral e kombëtar arriti të përcaktojë vlerat e të panjohurave – të gjejë rrugën e lirisë, begatisë dhe prosperitetit.
Këtu para së gjithash e kam fjalën për mësimdhënës të shkëlqyer, rigorozë në vlerësime dhe të udhëhequr nga dëshira të kemi një rini të ditur, të krijojmë një bazament të një shoqërie që synon të jetë e lirë dhe të bëjë përparime në një botë ku gara për dije po bëhej gjithnjë më e vështirë dhe gjithnjë më e paarritshme.
Ky ishte standardi që ata i kishin vënë vetes në realizimin e misionit të tyre dhe po ashtu në të njëjtën masë ishte kuptuar edhe nga studentët dhe shoqëria.
Si rrjedhojë, një tetori 1997 ishte dita kur në Kosovë u thye heshtja, u mund frika dhe kthye shpresa.
Studentët e Universitetit të Prishtinës, të përkrahur nga profesorët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, vendosën t’i thonë mjaft shtypjes së egër që ushtrohej mbi popullin tonë. Protestat që pasuan i treguan botës se askush nuk mund ta margjinalizojë një popull, duke e izoluar elitën intelektuale të tij.
Ato treguan përfundimisht se shqiptarët e Kosovës më nuk pranojnë të jetojnë në robëri, të poshtëruar dhe të privuar nga çdo e drejtë për zhvillim normal.
Më 1 tetor 1997 u tregua se dinjiteti nuk ka çmim, duke nxitur kështu një lëvizje që mobilizoi popullin në përkrahje të rezistencës ndaj okupatorit dhe të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sot, 18 vjet më vonë, me pietet kujtojmë të gjithë ata studentë dhe mësimdhënës që më 1 tetor 1997 e sfiduan dhunën shtetërore, ndërsa sot nuk janë në mesin tonë.
Me respekt kujtojmë dhe nderojmë rektorin e atëhershëm të Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Ejup Statovci dhe prorektorin prof. dr. Emrush Gashin të cilët sot më nuk janë në mesin tonë. I respektuar dhe i nderuar për kontributin e tij, ketë ngjarje na e bene te freskët prorektori prof. dr. Ahmet Geca.
Këta ishin tre autoritete te asaj kohe te cilët treguan burrëri të rrallë duke u vënë në krye të kolonës studentore dhe duke qëndruar sypatrembur përballë agjentëve të dhunës. Kjo lëvizje studentore mbetet burim i përhershëm i motivacionit për rininë tonë, në mbrojtje të vlerave universale të lirisë dhe demokracisë, duke mobilizuar gjithë popullin rreth një kauze kombëtare.
Në këtë kontekst edhe historik edhe tradicional, komuniteti akademik sot, duhet të marrë përgjegjësi shumë më të madhe, që me punën e vet t’i kontribuojë zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit, ndërtimit të një demokracie qytetare që reflekton përgjegjësi shoqërore dhe respekt të ligjshmërisë.
Nëse komuniteti akademik dëshiron të ndërtojë një shoqëri të përgjegjshme, atëherë vet duhet të jetë i përgjegjshëm dhe me shembullin e vet të demonstrojë se çka është përgjegjësia shoqërore.
Këtë e bën duke kryer me përgjegjësi detyrat e veta, duke vlerësuar me përgjegjësi kontributin e secilit akademik dhe duke mos lejuar në asnjë moment që interesi personal ose grupor të vihet mbi parimet.
Të dashur studentë ne, mësimdhënësit, e kemi obligim që t’ju përgatisim për të ardhmen tuaj duke ofruar mësimdhënie të cilësisë sa më të mirë, prandaj është në interesin tuaj të kërkoni nga ne, mësimdhënësit tuaj, ta kryejmë punën tonë sa më mirë që është e mundur.
Na tërhiqni vërejtjen kur gabojmë, na ndihmoni t’i kuptojmë nevojat tuaja, të jemi sa më profesional në punën tonë. Mësimdhënia cilësore është e drejta juaj dhe obligimi ynë.
Prof. Dr. Ramadan Zejnullahu Rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.(sic).
Vendoset gurthemeli i nënstacionit të Policisë së Kosovës në...
“Luks apo nevojë?” – Presidentja Osmani e hap ku...
FSK realizon trajnim për sistemin e armëve me ushtrinë turke
Konjufca pret në takim homologun nga Maqedonia e Veriut
Incizoi postbllokun e policisë afër Urës së Bistricës, arres...
Xuxi i thotë Xhenetës se nuk e ka ditur planin e Anisës për ...