Klientelizmi i institucionalizuar largon profesionistët shëndetësorë nga Kosova

09:12 | 23 Korrik 2019
Arbresh.info

Rreth 300 mjekë nga Kosova kanë gjetur punë në Gjermani gjatë vitit të kaluar.

Sipas statistikave të Odës Federale gjermane, listës së vendeve të rajonit për mjekë të punësuar në Gjermani vitin e kaluar i prin Shqipëria me 630 mjekë, pasuar nga Maqedonia me 470 dhe Mali i Zi 40 sish, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërkaq, po sipas Odës Federale gjermane për qëllime vendbanimi, për njerëz të profesioneve të ndryshme, vetëm vitin e kaluar Gjermania i ka lëshuar 12 mijë e 933 viza për kosovarë.

Kjo shifër pritet të rritet edhe më shumë pas një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Ministrisë së Shëndetësisë së Gjermanisë dhe asaj të Kosovës, të nënshkruar ditë më parë. Edhe pse kjo marrëveshje përmban vetëm pika të zotimit, punonjësit shëndetësor (kryesisht infermierë) do të kenë mundësi që të ndjekin trajnime nga të cilat do të fitojnë certifikim për të punuar në Gjermani.

Ministri i Shëndetësisë së Gjermanisë, Jahn Spen, përmes një konference për shtyp kishte bërë të ditur që shteti gjerman personave të interesuar për të punuar në Gjermani do t’u ndihmonte edhe për përshpejtim të procedurës së vizave të punës.

Sipas tij, Gjermania ka nevojë për 50 deri në 70 mijë infermierë e kjo mungesë mund të kompensohet nga profesionistë shëndetësorë jashtë Gjermanisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme