Google ADS

Pas Ramush Haradinajt, edhe Jakup Krasniqi ftohet nga Gjykata Speciale

11:28 | 20 Korrik 2019
L G

Pas kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, Gjykata Speciale ka ftuar për intervistë edhe kryetarin e Këshillit Kombëtar të Nismës Social Demokarte dhe ish-kreun e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Këtë e ka bërë të ditur vet Krasniqi përmes njoftimit në faqen e tij zyrtare në Facebook, ku ka njoftuar se më 24 korrik do të udhëtoj për në Hagë, raporton Arbresh.info.

DEKLARATË

Prishtinë, më 20 korrik 2019

Të nderuar bashkëkombës

Ndihem i obliguar moralisht t’ju njoftoj se kam marr ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë të paraqitem më 24 korrik 2019.

Pavarësisht bindjeve të mia që Gjykata Speciale e ngritur mbi bazën e raportit të Dick Martit, miratuar nga Këshilli i Evropës, i cili fund e krye është sajuar në Beograd me shpifje e gënjeshtra dhe me motiv e qëllim të komprometimit dhe inkriminimit të luftës së drejtë e të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkundër qëndrimit tim të hapur kritik e kundërshtues për krijimin me presion të kësaj gjykate, unë do të prezantohem në hetuesinë e saj në datën e caktuar në cilëndo cilësi. Me besim në drejtësinë, i bindur se e vërteta është që gjatë luftës në Kosovë, Serbia ka kryer gjenocid, kurse konstruktet e saj monstruoze për UÇK-në do të bien poshtë, unë do të jem atje për të dhënë kontributin tim për ndriçimin e së vërtetës historike.

Megjithatë është fatkeqësi dhe ironi e llojit të vet, që në vend se Serbia të përballet me drejtësinë për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit, ne duhet të mbrohemi nga akuzat e saj të trilluara, në vend që të gjykohen argumentet dhe provat e pamohueshme dhe të njohura botërisht, drejtësia merret me trille dhe shpifje të ulëta të politikës serbe dhe të shërbimeve të saj sekrete.

Përkundër bindjeve të mia sa i përket kësaj gjykate politike, të krijuar me presion politik nga njerëzit që bartin funksione të larta shtetërore në Kosovë dhe themelimin e saj me votën e atyre deputetëve që ishin numra në Kuvendin e Kosovës, unë do të prezantohem në hetuesinë e Gjykatës Speciale.
Nuk do të jetë hera e parë që dal para hetuesve për të dhënë përgjigje për çështje të sajuara nga pushteti i Serbisë. Ia kam dalë në proceset e hetuesisë jugosllave të viteve tetëdhjetë, siç ia kam dalë me përgjegjësi edhe kur jam ftuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, për rastet e kurdisura në bazë të dosjeve të dorëzuara nga Serbia kundër Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tyre.

Në të dy rastet kam dhënë deklarata në cilësinë e zëdhënësit të UÇK-së, përfaqësuesit të saj politik dhe anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë luftës së viteve 1998-1999. Deklaratat e mia në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi janë publike, siç është publik edhe verdikti i kësaj gjykate kur i hodhi si të pabaza të gjitha akuzat kundër Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt, duke shpallur pafajësinë e tyre.

As kësaj radhe nuk mund të jetë ndryshe.

Jakup Krasniqi, anëtar i SHP të UÇK-së dhe zëdhënës i tij./Arbresh.info

https://www.facebook.com/J.Krasniqi51/posts/2342214992561456?__xts__[0]=68.ARCiOWS1DibIEKOWDrnoU07watC8jQAvPBeUDX2Mif5cIUNCoRxB2bWRy_aoTKXal2SlS42rN1eOZ7FkWHQKA4HQFj3e9e2s3NDFfug6qTe2rJlEg4Pay7-Gqs1wUXR3Ln7jk2vVnuC_HwDg834zsdv8mcuD5LafFlquiXopW0P99R47ipw9Ya17eG-XUDnrA4nh3VYH9MOOPJbMgmgrXmpc55MsCV6wR23Kr3TsDRrr1vve7hkFZUqcWUb-4FOyLcUf4tA0k8rn3xPpg5fJ5STx75wtnZUahBs2d_H-IvdlVfDKYo5dusixuXLcLPhEcgTqzGwEgu7embCmQv8n8MYgNQ&__tn__=-R

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme