Google ADS

‘Të privilegjuarit’ e PDK-së bëhen anëtarë të kryesisë pa i hyrë fare garës  

13:27 | 19 Korrik 2019
Arbresh.info

Karriget ‘fluturuan’ në zgjedhjet e brendshme të LDK-së. Por, as procesi zgjedhor i Partisë Demokratike të Kosovës nuk ishte për ‘lavdata’.

‘Të privilegjuarit’ e kësaj partie u zgjodhën anëtarë të kryesisë në Degën e PDK-së në Prishtinë pa iu nënshtruar zgjedhjes me vota të mbyllur si kandidatët tjerë.

Në mesin e tyre ishin edhe dy ministra dhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së. Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ministrja e Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha dhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ishin në mesin e 9 anëtarëve që u zgjodhën pa i hyrë garës së votimit të fshehtë.

Arbresh.info gjatë ditës kishte provuar të kontaktoi me dy ministrat dhe shefin e Grupit Parlamentar por kanë qenë të paqasshëm.

Madje 9 kandidatët janë vendosur në krye të listës duke lënë pas vehtës kështu kandidatët që kanë marrë më së shumti vota në zgjedhjet me votim të fshehtë.

Në listën e siguruar nga arbresh.info shihet renditje tjetër nga ajo që është paraqitur në medie, në të prinë Arbër Gecaj si më i votuari.

E kjo zgjedhje solli pakënaqësi mes kandidatëve për anëtarë të kryesisë së partisë dega në Prishtinë. Madje arbresh.info ka mësuar se kishte edhe të atillë që janë tërhequr nga kandidimi.

“Jam  larguar nga kandidimi për anëtarë të kryesisë në Degën e PDK-së në Prishtinë pasi kemi parë se  një numër i caktuar i aktivistëve e intelektualëve janë zgjedhur pa i hyrë fare garës me vota të mbyllura. Unë kam konsideruar se ky është favorizim dhe për shkak të kësaj shkelje jam tërhequr nga gara”, ka thënë ky anëtarë i PDK-së.

E Betim Gjoshi, udhëheqës i procesit zgjedhor brenda PDK-së ka thënë për arbresh.info se zgjedhja e  1/3 e anëtarëve me vota të hapura është e rregulluar me statut.

“1/3 e kryesisë me status e propozojnë kryetarët e degëve, edhe miratohet me vendim formal Këshilli drejtues, me vota unanime pa asnjë votë kundër e ka miratuar duke u bazuar në parim e 9 të parëve që kanë qenë më të votuarit në Kuvend të Degës”, ka thënë Gjoshi.

Ai ka shtuar gjithashtu se të zgjedhurit e kryesisë në Degën e PDK-së në Prishtinë janë përbërje e jashtëzakonshme.

“Dje është zgjedhur kryesia ku Këshilli drejtues prej 71 anëtarëve e ka zgjedh një kryesi me një përbërje jashtëzakonisht të mirë me shefin e Grupit Parlamentar, ka drejtues të Institucioneve, qytetarë me reputacion. Është një kthesë e madhe për vet PDK-në në Prishtinë drejt kthimit të PDK-së  si parti e parë në Prishtinë”, ka thënë ai.

Ndërsa Gjoshi ka shtuar se kryetari është zgjedhur kohë më parë.

“Kryetari i degës është zgjedhur kohë më parë nga Kuvendi ashtu siç është e rregulluar në bazë të statutit ku kane qenë mbi 400 pjesëmarrës”, ka thënë ai.

Ndryshe të mërkurën Këshilli Drejtues i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në Prishtinë e ka zgjedhur kryesinë./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme