Operohet nga ‘zorra qorre’, mjekët nuk i largojnë penjtë

08:15 | 19 Korrik 2019
Arbresh.info

Për tri ditë radhazi kishte provuar të marrë tretman mjekësor.

Por, Fitore Mustafa nga Komuna e Mitrovicës as të mërkurën, 13 ditë pas intervenimit kirurgjik nuk kishte arritur të takohej me doktorin për largimin e penjve.

Arbresh.info të mërkurën kishte shoqëruar Mustafën gjatë tentativës të disatën herë, por doktori nuk ishte aty ndërsa infermieret ishin arsyetuar se punonin vetëm paradite.

Por, Mustafa ka thënë se nga e hëna deri të mërkurën ka shkuar në kohën kur doktori do të duhej të ishte në punë, por nuk ka qenë aty.

“Unë jam Fitore Mustafa, jetoj në Komunën e Mitrovicës. Shqetësimi im është për problemin e Qendrës së Mjekësisë në Mitrovicë, mu ka duk jo i mirë kujdesi ndaj personave që kanë nevojë për ta. E kam pas një intervenim kirurgjik në spitalin tjetër në  ‘apendixi’ ose zorrën qorre të shtunën e kaluar tash 13 ditë po pres. Të hënë kam pas me bo intervenim me e pastru varrën dhe me e largu penin”, ka thënë Mustafa.

Ajo gjithashtu ka treguar për përgjigjen e njëjte gjatë tri ditëve radhazi.

“Të hënën ma kanë pastru venin dhe më kanë thënë se nuk është doktori këtu mundësh me ardhë nesër, të martën kam shku prapë më kanë thënë se mungon doktori, të mërkurën kam shku prapë në orën 9:00 deri 10:20 kam prit pasi njëherë ka qenë pauza pasi në derë shkruante se pauza përfundon në 10:00, kam hy brenda dhe kam pyet me çka mund të bëjë me e pas një përgjigje më kanë thënë se duhet me prit. Kam kërkuar një përgjigje kur vjen doktori pasi vend nuk kish, unë me operacion nuk kam mujt me nejt në këmbë. Qe tri ditë kam marrë të njëjtën përgjigje prej motrave medicinale”, ka thënë ajo.

E infermieret prapa kamerave e kishin arsyetuar rastin me mungesë të stafit për shkak të pushimeve.

“Kanë shku në pushim, vetëm dy motra medicinale jemi për momentin në punë ndërsa për rastin e doktorit ne pa marrë njoftim nga doktori se vonohet për shkak të ndonjë operacioni nuk mund të njoftojmë pacientët”, ka thënë ajo.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Erseka Hasanaj, thotë se për këtë neglizhencë janë përgjegjës Spitali i Mitrovicës.

“Repartin e Kirurgjisë në kuadër të Spitalit që i shfrytëzon hapësirat e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare. Problemi është tek Spitali Rajonal që i shfrytëzon hapësirat tek ne. Na nuk i menaxhojmë specialistat e spitalit, dhe nuk mundemi me ditë kur janë edhe kur nuk janë aty”, shprehet Hasanaj për arbresh.info.

Ndërsa shefja e repartit të kirurgjisë së përgjithshme në Mitrovicë, Xhika Leku në një prononcim dhënë për arbresh.info ka thënë se nuk ka dijeni për rastin.

Leku ka thënë se do të kontaktoj me mjekun.

“Mjeku ka qenë çdo ditë në punë. Nuk e di pse nuk ka marrë trajtim është dashur të vij në qendrën lartë, do ta kontaktoj mjekun”, ka thënë ajo.

E pasi ekipi i arbresh.info kishte shkuar në Spital përsëri me Mustafën, ajo ishte trajtuar nga mjekët duke i larguar penjtë./arbresh.info/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme