Ky është lokacioni në kryeqytet ku Gjermania do ta ndërtojë objektin e Ambasadës

18:19 | 17 Korrik 2019
Arbresh.info

Pas një viti negociatash mes Ambasadës Gjermane dhe Komunës së Prishtinës, palët janë përcaktuar për lokacionin për objektin e ri të Ambasadës Gjermane.

Kontrata për shfrytëzimin kësaj prone u nënshkrua sot mes Ambasadorit Gjerman dhe Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Kryetari Ahmeti, i ka treguar Gazetës Express lokacionin se ku do të ndërtohet objekti i Ambasadës Gjermane në Prishtinë.

Ahmeti ka konfirmuar se objekti i Ambasadës Gjermane do të ndërtohet afër QKUK’së.

“Objekti i ri i Ambasadës Gjermane do të ndërtohet afër QKUK’së. Bëhet fjalë për një pronë e cila ka qenë e QKUK’së nga e cila kanë hequr dorë me vendim të Qeverisë, ndërsa pjesa tjetër është ka qenë pronë e Komunës. Saktësisht, diku pas “lunaparkut” në drejtim nga Mati 1”, ka thënë Ahmeti për Gazetën Express.

Ahmeti gjithashtu ka treguar se për arritjen e kësaj marrëveshje, janë dashur një vit derisa të përcaktohej lokacioni i përshtatshëm për të dyja palët. Ndërsa për finalizimin e projektit shtetit Gjerman do t’i duhen përafërsisht edhe 5 vjet. Kjo sepse sipas Ahmetit, ky objekt do të ndërtohet me standard evropian dhe në formën më ekologjike të mundshme.

“Pas një vit negociatash, kemi vendosë që ambasada të ndërtohet aty. Kemi diskutu disa opsione, por në fund jemi dakordu se ky është opsioni më i mirë. Finalizmi i projektit do të marrë diku rreth 5 vjet, kjo sepse shteti gjerman këtë objekt do ta ndërtoj në formën më ekologjike të mundshme”, ka thënë Ahmeti.

Në ceremoninë e nënshkrimin e kontratës, Ambasadori Gjerman, Christian Heldt, tha se ndërtimi i Ambasadës Gjermane në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë është një hap i ri veçanërisht domethënës në raportet bilaterale Kosovë – Gjermani.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme