Google ADS

A e paralajmëroi sot Banka e Shqipërisë shkarkimin eventual të Arben Malajt?

16:25 | 17 Korrik 2019
L G

Prej disa ditësh në media dhe veçanërisht pas kërkesës së një grupi deputetësh të PS-së, po flitet vazhdimisht për shkarkimin e anëtarit të Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë, një ngjarje e cila eventualisht mund të bëhet realitet.

Këtë të mërkurë, Banka e Shqipërisë ka reaguar zyrtarisht në lidhje me rastin, por pavarësisht se në asnjë moment nuk i referohet në mënyrë të drejtpërdrejtë Arben Malajt, ka folur në lidhje me kodin etik të BSH-së, argumenti kryesor nga ku bazohet kërkesa e socialistëve për të shkarkuar nga detyra ish- Ministrin socialist të Financave, të cilën po vetë socialistët e vendosën në Këshillin Mbikqyrës.

Në reagimin e Bankës së Shqipërisë thuhet se në vetëm një rast i lejohet një anëtari të Këshillit Mbikqyrës, që të japë në publik opinione që nuk janë në vijë me atë të BSH-së.

“Kodi i Etikës parashikon vetëm një rast kur anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës i lejohet të ndajë qëndrimet e veta nga ato të Bankës së Shqipërisë. Në publikimin e artikujve shkencorë, apo akademikë, anëtari mund të qartësojë se artikulli mund të mos përfaqësojë qëndrimin zyrtar të Këshillit Mbikëqyrës apo të Bankës së Shqipërisë (pika 2.3).”thuhet në reagim.

Pra sipas Bankës së Shqipërisë, të gjitha deklarimet (politike në veçanti) të kryera nga ana e Arben Malajt, konsiderohen si shkelje etike, një konkluzion në të cilën del kollaj nëse sheh nëntekstin e mesazhit të përcjellë këtë të mërkurë nga ana e BSH-së.

“Mbi këtë bazë, Banka e Shqipërisë shprehet e vendosur në qëndrimin e vet se, gjatë ushtrimit të detyrave, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës duhet të respektojnë kufizimet e Kodit të Etikës mbi veprimtarinë e tyre politike dhe publike, të vendosura ligjërisht dhe për shkak të natyrës së veçantë të pozicionit dhe funksionit të tyre. Çdo qëndrim individual që bie ndesh me karakterin publik të rolit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe detyrimin e tyre për të promovuar besimin publik në integritetin, paanësinë dhe efektivitetin e Këshillit Mbikëqyrës, duhet detyrimisht të trajtohet si jopërfaqësues i institucionit dhe në kundërshtim me rregullat e Kodit të Etikës.”-e përmbyll BSH reagimin e tij.

NJOFTIMI I PLOTË I BANKËS SË SHQIPËRISË:

Si institucion i pavarur kushtetues, Banka e Shqipërisë i shërben interesit publik dhe konsideron llogaridhënien dhe transparencën në themel të mirëqeverisjes së institucionit. Respektimi i këtyre parimeve nga anëtarët e organeve të saj drejtuese dhe nga punonjësit është jetësor për sigurimin e besueshmërisë së publikut, medias dhe organeve legjislative dhe ekzekutive të Republikës së Shqipërisë ndaj institucionit.

Mbështetur mbi këto standarde dhe në harmoni të plotë me frymën e Kodit të Sjelljes për Zyrtarët e Lartë të Bankës Qendrore Evropiane, Këshilli Mbikëqyrës ka miratuar, në qershor 2003, Kodin e Etikës së Bankës së Shqipërisë, i cili përcakton rregullat e integritetit dhe të sjelljes që duhet të zbatohen nga anëtarët e organeve drejtuese dhe punonjësit e Bankës së Shqipërisë. Kodi i Etikës reflekton praktikat më të mira në fushën e bankingut qendror, duke njohur, njëkohësisht, karakteristikat e veçanta institucionale të Bankës së Shqipërisë dhe pavarësinë politike të saj.

Në përcaktimin e parimeve bazë të sjelljes së anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, Kodi i Etikës sanksionon detyrimin e tyre për të qenë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e detyrave dhe të përgjegjësive të tyre, pasi përfaqësojnë organin më të lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës duhet të veprojnë në interesin më të mirë të Bankës së Shqipërisë, si dhe të sistemit bankar në Shqipëri (pika 1.3).

Në këtë kuadër, Kodi i Etikës përcakton shprehimisht se çdo veprimtari tjetër e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës, e cila kryhet jashtë detyrave të tij të përcaktuara në Ligjin për Bankën e Shqipërisë, nuk duhet të ketë ndikim negativ mbi detyrimet që ai ka ndaj Bankës së Shqipërisë dhe nuk duhet të dëmtojë imazhin e saj (pika 2.3).

Kodi i Etikës parashikon vetëm një rast kur anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës i lejohet të ndajë qëndrimet e veta nga ato të Bankës së Shqipërisë. Në publikimin e artikujve shkencorë, apo akademikë, anëtari mund të qartësojë se artikulli mund të mos përfaqësojë qëndrimin zyrtar të Këshillit Mbikëqyrës apo të Bankës së Shqipërisë (pika 2.3).

Mbështetur mbi sa më sipër, Banka e Shqipërisë u ka bërë të ditur, në vazhdimësi, të gjithë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës detyrimin për të mbajtur parasysh se, që nga momenti i emërimit, deri në përfundim të mandatit, ata përfaqësojnë, në çdo situatë, organin më të lartë drejtues të institucionit dhe se me deklarimet apo veprimet e tyre mund të dëmtojë imazhin e tij.

Ky qëndrim institucional është në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, të cilat u kërkojnë zyrtarëve publikë të kujdesen që gjatë përfshirjes në debate politike apo publike, të mos dëmtojnë besimin e publikut në aftësinë e tyre për t’i përmbushur detyrat me paanësi dhe besnikëri.

Mbi këtë bazë, Banka e Shqipërisë shprehet e vendosur në qëndrimin e vet se, gjatë ushtrimit të detyrave, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës duhet të respektojnë kufizimet e Kodit të Etikës mbi veprimtarinë e tyre politike dhe publike, të vendosura ligjërisht dhe për shkak të natyrës së veçantë të pozicionit dhe funksionit të tyre. Çdo qëndrim individual që bie ndesh me karakterin publik të rolit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe detyrimin e tyre për të promovuar besimin publik në integritetin, paanësinë dhe efektivitetin e Këshillit Mbikëqyrës, duhet detyrimisht të trajtohet si jopërfaqësues i institucionit dhe në kundërshtim me rregullat e Kodit të Etikës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme