Abdixhiku, Haradinajt: Puna e shkollës nuk shtyhet me gjoks e hu

15:14 | 16 Korrik 2019
A. B.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë sot tha se ka qenë dashur të reagojë më herët lidhur me vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, për mos akreditimin e universitetit të Pejës, Prizrenit dhe Mitrovicës.

Ai ka thënë se reagimi i tij ka ardhur për shkak të familjeve që kanë jetë mesatare dhe të atyre të varfra, pasi që sipas tij fëmijët e këtyre familjeve nuk do të mund të regjistrohen këtë vit.

Lidhur me këtë deklaratë të kryeministrit, ka reaguar deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook, ka thënë se fëmijët e Pejës, Mitrovicës e Prizrenit nuk merren në qafë pse bëjnë rrugë më shumë për shkollë e edukim më të lartë, ata merren në qafë kur të njëjtëve u hapen qymez universitete mahallash.

Postimi i plotë:

Fëmijët e Pejës, Mitrovicës e Prizrenit nuk merren në qafë pse bëjnë rrugë më shumë për shkollë e edukim më të lartë. Merren në qafë kur të njëjtëve u hapen qymez universitete mahallash, të stërmbushura me militantë partiak që as emrin e vet s’dinë ta shkruajnë mbarë. Merren në qafë kur i kalojnë tre vite shkollë kot, sa për të kuptuar në fund se copa e letrës që i thonë diplomë ka vlerë më të ulët se sa çmimi i shtypjes së saj. Kështu merret në qafë një gjeneratë, një popull, një vend i tanë.

Prandaj s’gjejnë punë. Prandaj s’krijojnë punë. Prandaj, të pashpresë, largohen nga këtu. Kësaj i thonë theqafje.

Keni mbushur universitete me familjarë. Keni caktuar në krye të tyre – si në Gjakovë pardje dhe hiq më larg – militantë puro partiak. Keni mbushur klasat mësimore me dibiduzë par ekselancë që i thonë vetit “pro-e-sorë” universitarë. Dhe prisni, në fund, që po këta të njëjtit militantë e familjarë të marrin akreditim ndërkombëtar? Të bëjnë cilësi që njihet botërisht? Si?!

Mendoni se puna e shkollës shtyhet me gjoks e hu. Kaq dini, kaq flisni, kaq bëni.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme