Google ADS

*Nënshkruhet marrëveshje me DVV International për aftësimin e të rinjve në teknologji informatike dhe ndërmarrësi *

13:13 | 15 Korrik 2019
Arbresh Info

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në kabinetin e tij drejtorin e Zyrës në Kosovë të Institutit për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Bashkësisë së Shkollave të Larta Popullore Gjermane (DVV International), Ramadan Alija.

Në këtë takim mes Ministrisë dhe Institutit u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të implementimit të projektit “Ngritja e aftësive dhe kompetencave të të rinjve në fushën e teknologjisë informatike dhe ndërmarrësisë nga tri rajone të Kosovës (Ferizaj, Malishevë dhe Viti).

Ministri Gashi bëri të ditur se për realizimin e këtij projekti Ministria merr përsipër që të investojë me 11 mijë euro duke siguruar furnizimin me pajisje të nevojshme të së paku dy punëtorive për teknologji informatike dhe ndërmarrësi në dy qendra rinore.

“Me DVV International, Zyra në Kosovë, jemi pajtuar që të bashkëpunojmë në fushën e arsimimit të rinisë kosovare përmes arsimit joformal duke përfshirë tri Qendra Rinore nga tri rajone të ndryshme të Kosovës, si struktura organizative të MKRS-së dhe kjo duke pasur parasysh faktin se arsimimi i rinisë dhe përfitimi i njohurive në fushën e teknologjisë informatike dhe ndërmarrësisë ndikon në nxitjen e punësimit, pjesëmarrjen e rinisë në zhvillimin kulturor, shoqëror, ekonomik dhe të qëndrueshëm si dhe në uljen e varfërisë”, theksoi ministri Gashi.

Ai po ashtu tha se objektivë kryesore e këtij projekti është aftësimi i së paku 100 personave në vit me qëllim të zbutjes së papunësisë dhe krijimit të mundësive për hapjen e bizneseve të vogla dhe vetëpunësimit të rinisë.

Ramadan Alija, drejtor i Zyrës në Kosovë të këtij instituti, falënderoi ministrin Gashi për pritjen e tij dhe nënshkrimin e marrëveshjes dhe sqaroi:

“Projekti në fjalë në mënyrë specifike do të përfshijë ngritjen e vetëdijes për themelimin e biznesit te personat që do të marrin pjesë në trajnim, ngritjen e aftësive, shkathtësive dhe kompetencave të tyre në fushën e teknologjisë informatike dhe ndërmarrësisë dhe punësimin apo vetëpunësimin e kandidatëve pas vijimit të trajnimeve”.

Ai gjithashtu tha se pret që realizimi i këtij projekti të rezultojë i suksesshëm dhe se bashkëpunimi me Ministrinë të vazhdojë edhe në të ardhmen me projekte të tjera në të mirë të rinisë.


        

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme