Në Klinikën Infektive në QKUK janë trajtuar 270 pacientë me Hepatit B dhe C vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti. Mjekët thonë se nëse nuk zbulohet me kohë hepatiti, atëherë ajo mund të jetë sëmundje vdekjeprurëse.
Drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajazaj-Berisha, ka thënë se Hepatiti B dhe C janë infeksione të mëlçisë, të cilat mund të rrezikojnë edhe jetën e pacientëve.“Pacientë kemi gjatë gjithë vitit, edhe me Hepatit B, edhe me Hepatit C. Po ashtu kemi edhe me cirroza të mëlçisë si pasojë e Hepatitit B dhe C. Momentalisht i kemi diku 270 raste, të cilat i trajtojmë me terapi antivirale, me tenofovir.
Po ashtu kemi raste të cilat trajtohen edhe me terapi antivirale për Hepatit C që në shumicën e rasteve i trajtojmë në mënyrë ambulantore.
Ka mjaft numër të madh të rasteve me hepatite, mirëpo deri diku janë mirë të menaxhuara. Virusi i Hepatiti B dhe C është sëmundje e cila mund të ketë një ecuri jo të mirë më vonë”, ka thënë ajo, për “Zërin”.
Ajazaj-Berisha ka treguar se në momentin që një person diagnostikohet me Hepatitin B, atëherë ata ua kërkojnë edhe familjarëve të tij që të testohen.“Për fat të mirë që prej vitit 2003 ka filluar edhe vaksinimi i rregullt për Hepatit B dhe prej këtij viti të gjithë fëmijët janë të vaksinuar. Në momentin që te ne diagnostikohet një rast me Hepatit B për herë të parë, ne kërkojmë që të testohen të gjithë anëtarët e familjes dhe kërkojmë vaksinimin e atyre që janë negativë, në mënyrë që gradualisht të vaksinohet e gjithë popullata, e cila nuk ka marrë vaksina”, ka thënë ajo.
Sipas saj, mjekët janë duke u munduar t’i sensibilizojnë qytetarët, në mënyrë që edhe ata që janë negativë të vaksinohen dhe të mbrohen nga kjo sëmundje.Ajo ka thënë se si klinikë e kanë terapinë adekuate për Hepatit B dhe C, ndonëse për këtë të fundit nuk ka vaksina.“Hepatiti B dhe C janë sëmundje që mund të kenë një ecuri pak më të rëndë klinike, mirëpo të gjitha rastet të cilat lajmërohen me kohë te ne menaxhohen, kompletohen me analiza laboratorike, në mënyrë që të parandalohet ecuria e mëtejme e sëmundjes dhe prokredimi në drejtim të cirrozës.
Për fat të mirë ne në klinikë e kemi terapinë adekuate. Sa i përket Hepatitit C nuk ka vaksinë, mirëpo të gjithë pacientët që diagnostikohen me Hepatit C ne i japim rekomandime se si duhet të mbrohen anëtarët e tjerë të familjes”, ka thënë ajo.
Nga mjekë e nga Organizata Botërore e Shëndetësisë disa herë është kërkuar që qytetarët të lajmërohen me kohë te mjeku, në mënyrë që edhe ecuria e trajtimit të shkojë më mirë.Hepatiti B është infeksion i mëlçisë, i cili vlerësohet se përhapet nga nëna te fëmija gjatë lindjes nëpërmjet kontaktit me gjakun e infektuar ose gjatë procedurave mjekësore, kirurgjike dhe dentare.
Kurse Hepatiti C transmetohet duke injektuar drogë nëpërmjet shkëmbimit të pajisjeve të injektimit, ndërsa në institucionet shëndetësore transmetohet për shkak të ripërdorimit ose të sterilizimin joadekuat të pajisjeve mjekësore.
KRU “Prishtina” njofton se edhe sot do të ketë intervenime n...
Posta e Kosovës lëshon në qarkullim emisionin e ri të pullav...
“Duhet ta harrojë rolin e sulmuesit të majtë dhe të shënojë ...
Frika e NATO-s nga kthimi i Trump
Rusia sulmon Kievin dhe Harkivin
Kurti pret në takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregti...