Sejdiu, Konjufcës: Nëse e rrëzon Haradinajn me votat e Srpska-s, harroji votat e PSD-së!

17:29 | 12 Korrik 2019
A. B.

Deputeti i Partisë Social Demokrate, Dardan Sejdiu ka akuzuar deputetin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca se po manipiulon me opinionin kur flet rreth rrëzimit të qeverisë “Mustafa” me votat e Srpska-s.

Sipas tij, nëse Konjufca mund ta rrëzojë qeverinë Haradinaj përmes listës Srpska atëherë nuk ka nevojë për votat e PSD-së.

“Për më tepër, deklarimet e Konjufcës bien ndesh me qëndrimet e përfaqësuesve të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje – por edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës – rreth llogaritjes në votat e Listës Serbe. Numër i konsiderueshëm i tyre (Rexhep Selimi, Sami Kurteshi, Lutfi Haziri, etj) kanë përsëritur disa herë publikisht refuzimin e tyre për ta pranuar votën serbe për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj”, është shprehur ai

Postimi i plotë:

NËSE KONJUFCA MUND TA RRËZOJË QEVERINË HARADINAJ PËRMES LISTËS SERBE, NUK KA NEVOJË PËR PSD-në!

Glauk Konjufca vazhdon ta manipulojë opinionin publik duke thënë se Isa Mustafa ishte rrëzuar nga pushteti me votat e Listës serbe. Konjufca nuk e saktëson se asokohe, votat e Listës Serbe nuk ishin PËRCAKTUESE për rrëzimin e tij. Përkundrazi, ishin kalkulimet e partnerit të koalicionit ato që ia dhanë fundin.

Mbase është e drejtë e Lëvizjes “Vetëvendosje!” të kërkojë rrëzim të Qeverisë Haradinaj përmes votave PËRCAKTUESE të Listës Serbe, e cila përfaqëson agjendën e Beogradit në Kosovë. Që sot, Lëvizja Vetëvendosje mund t’i mbledhë votat dhe nënshkrimet e deputetëve të saj.

Mirëpo, në këtë proces, denigrimi i Partisë Socialdemokrate (PSD) nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje është tepër shqetësues. Përgjithësisht, PSD akuzohet për oportunizëm dhe tradhti opozitare ndërsa veçanërisht, refuzimi i saj për t’i pranuar votat e Listës Serbe shihet vetëm si arsyetim, e assesi arsye.

Për më tepër, deklarimet e Konjufcës bien ndesh me qëndrimet e përfaqësuesve të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje – por edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës – rreth llogaritjes në votat e Listës Serbe. Numër i konsiderueshëm i tyre (Rexhep Selimi, Sami Kurteshi, Lutfi Haziri, etj) kanë përsëritur disa herë publikisht refuzimin e tyre për ta pranuar votën serbe për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Partia Socidaldemokrate NUK e mbështet qëndrimin se përfaqësuesit e politikës qeveritare të Serbisë duhet ta PËRCAKTOJNË kohën dhe mënyrën e rrëzimit të qeverisë së Republikës së Kosovës. Për diçka të tillë PSD nuk jep vota në Kuvendin e Republikës. As sot, as nesër.

Partia Socialdemokrate do t’i bashkohet Glauk Konjufcës kur ai t’i sjellë nënshkrimet e së paku 49 deputetëve që nuk janë nga Lista Serbe. Kur të arrihet kjo, do të jetë e parëndësishme nëse Lista Serbe do të votojë ose jo rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Deklarimet si ky i Konjufcës janë përpjekje që PSD-së t’i mveshet faji për mungesën e vullnetit dhe mençurisë në Lëvizjen Vetëvendosje në strategjinë e rrëzimit të qeverisë. Për më tepër, qëndrimet e këtilla vetëm sa e vështirësojnë tutje çfarëdo bashkëpunimi të efektshëm opozitar në proces

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme