Meta në takim me Pendarovskin, bisedojnë për hapjen e negociatave në tetor

09:54 | 10 Korrik 2019
Arbresh Info

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka njoftuar se realizoi një takim me Presidentin e Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski ku kanë biseduar për hapjen e negociatave për anëtarësimin e të dyja vendeve në muajin tetor, transmeton arbresh.info.

“Kënaqësi e veçantë të takoja Presidentin e Maqedonisë së Veriut, z.Stevo Pendarovski. Të dy vendet tona duhet të bashkojnë përpjekjet për çeljen e negociatave për anëtarësim në tetor. Duhet të përfitojmë nga ky momentum mjaft pozitiv që ka krijuar Marrëveshja e Prespës, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut. “ është shprehur Meta.

Më tutje Meta duke e konsideruar të kotë kohën nga dekreti i anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, ka thënë se ndjehet i kënaqur me vendosmërinë e Presidentit Pendarovski për të bashkëpunuar me opozitën në dialog për çështjet themelore të shtetit.

“Ndërkohë sot bëhet një muaj i shpërdoruar kot që nga dekreti për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, për arritjen e një zgjidhje gjithëpërfshirëse që forcon besueshmërinë e vendit për zgjedhje të lira e të ndershme. Po kështu ishte kënaqësi të konstatoja vendosmërinë e Presidentit Pendarovski për të bashkëpunuar dhe përfshirë opozitën në dialog për çështjet themelore të shtetit dhe demokracisë”, ka  shkruar Meta./arbresh.info/

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/photos/a.1479540228758912/2367856436593949/?type=3

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme