Google ADS

Turqi: Gazetarët e Deutsche Welles në shënjestër

16:17 | 9 Korrik 2019
Arbresh.info

Një një studim aktual të fondacionit turk, SETA gazetarët e transmentuesve të huaj si Deutsche Welle dhe BBC sulmohen publikisht. Organizatat e gazetarëve, por edhe Deutsche Welle kanë reaguar menjëherë.

“Fondacioni për Studime Politike, Ekonomike dhe Sociale”, SETA e ka qendrën në kryeqytetin turk, Ankara. Ky fondacion shihet si i afërt me qeverinë turke. Tani ai ka publikuar një studim me titull „Përhapja e organizatave ndërkombëtare dhe e mediave në Turqi”, që me gjasë merr në shqyrtim prezantimin e Turqisë në mediat e huaja. Një vëmendje e veçantë i kushtohet seksionit turqisht të Deutsche Welles, BBC-së, Voice of Amerika, Sputnik dhe Euronews. Në analizën e fondacionit kritikohet raportimi i viteve të shkuara për zhvillime të caktuara në Turqi, si përpjekja për puç ushtarak në vitin 2016, lufta kundër partisë së ndaluar kurde, PKK, ndërtimi i një aeroporti të ri në Stamboll, kriza ekonomike dhe ofensiva e ushtrisë turke në Sirinë Veriore. Vetëm Deutsche Welles studimi i kushton 30 faqe, që në pjesë të caktuara mund të lexohen si formulimi i një akuze.

Gazetarët e DW-s në shënjestër

Autorët e studimit sulmojnë hapur personalisht punonjës të caktuar të transmentuesve të huaj – duke bërë lidhje me biografitë e këtyre personave, me të dhëna pjesërisht të sajuara ose të gabuara: Informacione që janë marrë nga interneti pa verifikime. Mes të sulmuarve përmenden edhe 15 redaktorë të Deutsche Welles. Atyre u përmenden edhe publikimet në twitter. Një mesazh në twitter i vetëm i një gazetari, që pasqyron qëndrimin e një partie opozitare, është një provë sipas autorëve të studimit që të dy janë të një pale. Kush interviston një reporter apo politikan të burgosur në Turqi akuzohet, se është përkrahës i tij. Kush shkruan artikuj kritikë për gjendjen ekonomike gjithnjë e më problematike në vend akuzohet, se ka si qëllim të vetëm të paraqesë në dritë të keqe qeverinë turke. Faktet nuk merren në konsideratë.

Aktivitetet e këtyre gazetarëve në twitter tregojnë, se çfarë „qëndrimi ideologjik kanë këta gazetarë”, thuhet në studim. Sipas tyre gazetarët e pesë transmentuesve të huaj raportojnë në mënyrë të njëanshme për qeverinë turke. Në studim në mënyrë të përsëritur thuhet, se ata kanë afërsi me partinë prokurde, HDP. Një diskreditim i qëllimshëm: Sepse kjo parti në qarqet konservatore-islamiste shihet si krahu politik i milicëve kurdë, PKK.

Zëdhënësi i Deutschen Welles, Christoph Jumpelt është i tronditur. „Natyrisht një media ndërkombëtare si Deutsche Welle duhet të jetojë me kritikat, por ajo që këtu fshihet nën mantelin e studimi shkencor është përpjekja për të diskredituar gazetarët tanë. Kjo nuk është e pranueshme. Ne nuk i pranojmë këto akuza. DW do të ofrojë edhe në të ardhmen një raportim kritik dhe objektiv për zhvillimet në Turqi.”

Reagojnë shoqatat e gazetarëve

Edhe shoqatat e gazetarëve reagojnë të zemëruar për studimin e SETA-s. Si shenjë alarmuese ata shohin vënien e gazetarëve në fokus të denoncimit. „Raportimi i spiunazhit është një njollë e errët në historinë tonë” vlerëson shoqata e gazetarëve turq “Çağdaş Gazeteciler Derneği” këtë studim. Ndërsa lidhja e sindikatave, DISK në deklaratën e saj shkruan, se „nëse u ndodh diçka gazetarëve për këtë duhet të përgjigjet SETA”. Edhe organizata „Reporterë pa kufij” u shpreh në të njëjtën mënyrë për studimin. „SETA duhet ta ketë të qartë, se ata e mbajnë përgjegjësinë, nëse kolegët e përmendur në studim mund të sulmohen. Solidarizohemi me të gjithë kolegët që vihen në shënjestër të këtij publikimi.”

Madje për studimin e SETA-s ka reaguar edhe gazeta konservatore, Yeni Safak. Kryeredaktori i faqes online Ersin Çelik e cilëson studimin si „shqetësues”. Ai duhet të tërhiqet sipas tij, përveç kësaj duhet të kërkohet falje.

Por drejtori i SETA-s Ismail Caglar e ka mbrojtur publikimin e fondacionit të tij. „Nëse do të ishte me gabime, atëherë ne me dëshirë do të kërkonim falje. Por kritika ndaj studimit është e motivuar ideologjikisht, prandaj nuk na prek aspak.” Sipas SETA-s, studimi është në rregull, sepse bazohet në informata të hapura publike dhe publikime.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme