Google ADS

AAK-ja, Nisma e PSD-ja kërkojnë nga një ulëse në KQZ

09:35 | 9 Korrik 2019
Arbresh.info

Gjatë ditës së djeshme janë bërë tre muaj prejse tri grupet parlamentare, AAK-ja, Nisma Socialdemokrate dhe PSD-ja, e kanë dërguar në Gjykatë Kushtetuese dekretin e presidentit Hashim Thaçi për emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ). Pas më shumë se një viti bllokadë të KQZ-së presidenti kishte ftuar për dekretim dy anëtarë nga LDK-ja e LVV-ja, si dhe dy anëtarë nga PAN-i, por koalicioni qeveritar nuk kishte arritur të merrej vesh për propozimin e anëtarëve që i takonin, shkruan Gazeta ‘Zëri’.

Por pavarësisht interpretimit të Kushtetueses, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Ahmet Isufi ka thënë për “Zërin” se të gjitha grupeve parlamentare u takon nga një anëtar.

“Kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese ta vërtetojë pjesëmarrjen e grupeve parlamentare në KQZ dhe ende nuk kemi marrë përgjigje. Ne në bazë të ligjit kemi kërkuar që të gjitha grupet parlamentare në Kuvend t’i çojnë anëtarët e tyre në KQZ, sipas radhitjes së grupeve parlamentare, por të gjitha grupet parlamentare kanë të drejtë të kenë pjesëmarrje në KQZ”, ka theksuar Isufi.

Njëjtë është shprehur edhe deputeti i Nismës Socialdemokrate Enver Hoti, i cili megjithatë ka thënë se nuk pretendon ta parashikojë vendimin e mundshëm të gjykatës.

“I kemi thënë të gjitha që është dashur të thuhen. Ne jemi të bindur që të gjitha grupet parlamentare duhet t’i kenë përfaqësuesit e vet në KQZ, shohim çfarë vendimi do të ketë”, ka theksuar Hoti.

Ndërkohë nënkryetarja e PSD-së, Shqipe Pantina, ka thënë se ky subjekt do ta pranojë çfarëdo veprimi që merr gjykata, ndonëse sipas saj edhe PSD-së i takon një anëtar në KQZ.

“Ligji për Zgjedhje thotë se secili grup parlamentar duhet të jetë i përcaktuar në KQZ dhe duke u bazuar mbi këtë ne kemi kërkuar dhe besojmë që na takon një ulëse brenda KQZ-së. Megjithatë presidenti ka vendosur ndryshe dhe e kemi dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese”, ka theksuar Pantina.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme