20 vjet pritje për djalin e vetëm Albionin. Dhimbje pafund. Akoma asnjë lajm.
Madje, nuk ia gjeti as eshtrat që të paktën ta ketë një varr mbi të cilin mund të qajë.
Si jeton nëna Nesrete Kumnova me dhimbjen që ia shkul shpirtin?
“20 vjet pritje është shumë e rëndë për të gjithë familjarët e Kosovës, sidomos për nanat është pritje e gjatë dhe e rëndë. Është pritje në ankth dhe pritje pa fjetë 24 orë”.
Por, pas dy dekadave a mësohet njeriu me pritjen, a bëhet një me të?
“Në 20 vjet pritje në ankth, shpesh them ‘as hasmin mos e pafsha në pritje’. Ndoshta në këtë pritje na kanë dhënë forcë se do t’i gjejmë një ditë”.
“E kemi kaluar kohën me protesta, me kërkesa, me takime me ndërkombëtarët dhe me shpresat tek njerëzit që i kanë rrëmbyer se ne të gjithë i kemi njohur ata policë të uniformuar që janë futur në shtëpitë tona dhe i kanë rrëmbyer”.
“Trokitja në çdo derë na ka marrë kohë dhe na ka mbajtur me shpresë, por kur është kthyer grupi i parë nga Serbia aty kanë filluar që të shuhen shpresat”.
“18 herë kam dalë si nanë, si kryetare e shoqatës ‘Thirrjet e Nënave’ dhe si nanë e të gjitha nanave të Kosovës në Merdarë që t’i presim trupat që së paku të mos jenë në varrezat masive të Serbisë”.
Kumnova në Zona B të Klan Kosovës ka thënë se e di kush janë personat që e kanë rrëmbyer djalin e saj dhe të tjerët bashkë me të.
“Ne i kemi njohur të gjithë ata policë që janë futur në shtëpitë tona sepse përtej shtëpisë njeriu nuk ka ku të shkojë dhe ne nuk kemi pasë siguri as në shtëpitë tona”.
“Aty janë futur policë të uniformuar, qytetarë të thjeshtë kanë qenë, por edhe ata u kanë treguar dyert atyre që i janë bashkangjitur që të bëjnë maskara në popullatën e pafajshme dhe janë rrëmbyer të gjithë njerëzit tanë”.
“Ata që i kanë rrëmbyer kanë emër dhe mbiemër, por fatkeqësisht as Bashkësia Ndërkombëtare nuk e bëri atë që mund ta bëjë, së paku të kërkojë nga Qeveria e Serbisë që t’i kthejë trupat që ende na mungojnë”.
Nëna Nesrete mes lotëve ka rrëfyer një ëndërr me djalin e saj të hasretit të cilin nuk e ka gjetur as pas 20 vjetësh kërkimi.
“Ne e kemi pasë shtëpinë jo krejtësisht të rregulluar. Biri im Albioni ka pasë dëshirë që ta rregullojmë gjithë shtëpinë. Ne i kemi tri vajza derisa Albioni u rrit dhe u bë 20 vjeçar dhe shpresa jonë ka qenë që një ditë do ta fejojmë, martojmë dhe ta bëjmë një dasmë të madhe”.
“Ajo u shndërrua në tragjedi dhe me ato fjalët e Albionit edhe shpresat e prindërve u shuan”.
“Një ditë e pashë një ëndërr që Albioni erdhi në shtëpi dhe i vendosi dy duart në derë të korridorit”.
“U gëzova kur e pashë dhe i thashë ‘hajde Albion mamë, a erdhe?’. Më tha ‘jo nuk kam ardh përgjithmonë, por vetëm erdha me ju pa edhe me ju than rregullojeni edhe këtë që e kemi lënë pa i rregullu edhe pastaj do të vij”.
“Unë dhe bashkëshorti u shtymë me ato ëndrra dhe e rregulluam krejt ato që i ka pasë qejf Albioni, por ai nuk hyri brenda. Kjo ma ka zbehur shpresën. Kur nuk hyri brenda, mu zbeh shpresa që Albioni nuk është”.
Uria në mes të natës – arsyet shëndetësore pse ndodh
Pse yjet shkëlqejnë më fort në male?
Frutat e thata ndihmojnë me kancerin e gjirit?
Tifozët mendojnë se kanë gjetur ‘arsyen e vërtetë’ pse Vinic...
Hakerët kinezë vënë në objektiv familjen Trump dhe këshillta...
Protesta e opozitës, Berisha: Shqipëria u paralizua, për tri...