Departamenti Special synon të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin

17:01 | 8 Korrik 2019
L G

Është mbajtur sot ceremonia zyrtare e organizuar me rastin e funksionalizimit të Departamentit Special në Gjykatën e Apelit të Kosovës dhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton arbresh.info.

Kjo ceremoni është bërë në Gjykatën Themelore në ku të pranishëm në takim ishin Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Afërdita Bytyçi, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Skënder Çoçaj, Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës Enver Peci, Kryetari i Gjykatës së Apelit të Kosovës Hasan Shala, Këshilltari Ligjor në Ambasadën Amerikane Constantine Soupios si dhe përfaqësuesja e zyrës së BE-së në Kosovë Annmarie Douwes.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë kryetarja e kësaj gjyakte, Afërdita Bytyçi gjatë fjalës së saj ka thënë se Departamenti Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë së bashku me Prokurorinë Speciale do të jenë promotorë të luftimit të krimit në vend.

“Formimi i Departamentit Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë është paraqitur si domosdoshmëri dhe nevojë e kohës, me qëllim të luftimit të suksesshëm të krimit të organizuar, korrupsionit, parandalimit të shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorizimit në vendin tonë”, është shprehur Bytyqi.

Tutje ajo ka thënë se beson fuqishëm në ekipin e gjyqtarëve që janë përzgjedhur për departamentin Special.

“Ky është fillim shumë i mirë ku unë si kryetare e Gjykatës në bazë të planit të punës të cilin e kam hartuar, besoj fuqishëm se me një ekip të tillë të gjyqtarëve jemi të gatshëm të përballemi me sfidat që na presin dhe t’i zgjidhim çështjet penale që ngriten pranë këtij departamenti në kohën sa më shpejtë që është e mundur. Do të sigurohemi se të gjithë janë të barabartë para ligjit, askush nuk është mbi ligjin dhe kryerësit e veprave penale do të marrin dënimin e merituar” – ka thënë Bytyçi.

Të gjithë gjyqtarëve të përzgjedhur në këtë departament i‘u është uruar sukses në punën e mëtutjeshme. /Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme