Kërcënohet me jetë kryetari i KQZ-së Klement Zguri

09:16 | 6 Korrik 2019
Arbresh.info

Kryetari i KQZ-së merret në mbrojtje nga Garda pas një mesazhi kanosës në adresë të tij. “Do të vras ty edhe familjen”, kush është Emiljan Pjetri, shkodrani i cili i shkroi Zgurit, pasi ky i fundit kërkoi të hapeshin kutitë

Pas mbledhjes ku anëtarët e KQZ-së u përplasën ashpër në mbledhjen e së enjtes për hapjen e kutive të 30 qershorit, mësohet se kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, rreth 30 minuta pas mbledhjes ka marrë kërcënime me jetë për të dhe familjen e tij. Kryetari i KQZ Klement Zguri është marrë në mbrojtje nga Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës pasi është kërcënuar me jetë. Autor i ngjarjes është një person nga Shkodra, i cili i ka shkruar zyrtarit të lartë në adresën e tij në rrjetet sociale duke e fyer dhe kërcënuar bashkë me familjen. Mesazhi ka mbërritur në adresën e Zgurit vetëm pak orë pas mbledhjes ku ai kërkoi hapjen e kutive të 30 qershorit për verifikimin e fletëve fiktive të votimit. Në momentin e mbërritjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mesditën e të premtes ai ka qenë i shoqëruar me truproja, derisa ka hyrë në zyrën e tij ndërsa në mbrojtje mësohet se janë marrë edhe anëtarët e familjes së kryetarit të KQZ. Masat e sigurisë janë vendosur pas një mesazhi kërcënues të dërguar në adresën e zyrtarit të lartë në rrjetin social Facebook nga shtetasi Emiljan Pjetri nga Shkodra. Në mesazhin e mbërritur më 4 korrik pasdite, përveç fyerjeve, autori adreson kërcënime duke thënë se “do vriste Zgurin dhe familjen e tij”. I pyetur në lidhje me këtë episod, titullari i KQZ nuk pranoi të bënte komente. Klement Zguri është anëtari i vetëm përfaqësues i opozitës në KQZ. Ai dhe anëtarët e tjerë të Komisionit u morën në mbrojtje një muaj më parë pas debateve për datën e zgjedhjeve por pas 30 qershorit, masat e sigurisë ishin hequr. Në mbledhjen e të enjtes Klement Zguri kërkoi hapjen e kutive të 30 qershorit me qëllim verifikimin e çështjes së fletëve që dyshohet se janë futur fiktivisht në kutitë e votimit për të rritur pjesëmarrjen në zgjedhje. Kryetari i KQZ-së ka braktisur disa herë mbledhjet e KQZ duke kërkuar zbatimin e dekretit të presidentit që anuloi datën 30 qershor.

Mesazhi kërcënues

Në adresën e tij personale të “Facebook” ka ardhur një mesazh nga shtetasi E. Pjetrini, i cili pasi e ofendon e kërcënon se do ta vrasë atë dhe familjen e tij. “O m*t, do të vras ty edhe familjen”, thuhet në mesazhin e dërguar në adresë të kreut të KQZ-së, Klement Zguri. Mësohet se pas këtij kërcënimi ndaj kryetarit të KQZ-së dhe familjes së tij janë marrë masa të forta sigurie.

Reagimi

Partia Demokratike ka reaguar ndaj kërcënimit të ushtruar ndaj kreut të KQZ-së, Klement Zguri. Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, në konferencën për shtyp deklaroi se në Shqipërinë e Edi Ramës ku krimi i organizuar qeverisë bashkë me të, kushdo që guxon të zbatojë ligjin, kërcënohet nga bandat e Edi Ramës. “Bandat prekin zgjedhjet, bandat mbushin kutitë, bandat blejnë vota dhe shantazhojnë votues, sot kanë kaluar çdo limit duke kërcënuar me jetë Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve z. Klement Zguri dhe familjen e tij. Partia Demokratike kërkon menjëherë arrestimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të banditit që, për pushtetin e Edi Ramës, kërcënon kreun e KQZ-së, për shkak të kërkesë së tij për të hedhur dritë mbi mbushjen e kutive dhe manipulimin e numrit të votuesve”, deklaroi Paloka.

Kush është autori?

Numri dy i PD-së, ka zbuluar se personi që sulmoi Zgurin është i njëjti që ka kërcënuar edhe intelektualin Aurel Plasarin. “Ky është i njëjti bandit që ka kërcënuar edhe profesor Aurel Plasarin, i cili e ka denoncuar faktin pas bërjes publik të kërcënimit të kreut të KQZ, duke vënë në dukje se kjo është fryma me të cilën Rama ka organizuar 30 Qershorin. Nuk ka bandë që mbulon krimin kushtetues dhe elektoral që ka kryer Edi Rama më 30 Qershor. Sado të fshihet, sado të përdorë kriminelët e tij në KQZ, sado të përdor bandat, shqiptarët e kanë thënë fjalën e tyre. 85% e qytetarëve refuzojnë Edi Ramën. Duke e konsideruar Edi Ramën të vetmin përgjegjës për situatën e krijuar në vend ndaj kundërshtarëve politikë, Partia Demokratike paralajmëron kryeministrin gangster të tërheqë banditët që ka lëshuar rrugëve për të kërcënuar këdo që nuk i bindet. Në të kundërt, ai do të mbajë vetë përgjegjësi për gjithçka!”, deklaroi Paloka. Mësohet se autori jeton në Athinë dhe ka pranuar se mesazhe të tilla ka dërguar më herët edhe për zyrtarë të tjerë të përfshirë në politikë./shekulli

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme