Me miliona euro janë shpenzuar nga buxheti i shtetit për tokat që gjenden në afërsi të autostradës “Arbën Xhaferi”.
Shpronësimi i rreth 2 mijë e 500 pronave i ka kushtuar “kuletës” së shtetit hiç më pak se 106 milionë euro, ku janë përfshirë mbi 60 zona kadastrale të komunës së Graqanicës, Lipjanit, Ferizajt, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit, raporton Express.
Shpronësimit të pronave për ndërtimin e autostradës që lidh Prishtinën e Shkupin ia pa hajrin edhe Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma.
Toka që ai kishte në pronësi në afërsi të “Arbën Xhaferit”, i siguroi atij me mijëra euro dhe i mundësoi shkuarjen në tokën e shenjtë në Mekë.
Suma në regjistrin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se toka e familjes së tij është shpronësuar për 45 mijë euro.
Prej gjithë kësaj shume, Suma ka deklaruar se i ka marrë 11 mijë e 250 euro, të cilat ka thënë t’i ketë shfrytëzuar për kryerjen e haxhit për të dhe bashkëshorten e tij.
“Mjetet nga shpronësimi i pronës për autostradë në një vlerë 45.000 të cilat janë ndarë në 4 pjesë të barabarta, ku vetëm pjesa ime në vlerë prej 11.250 euro është shfrytëzuar për kryerjen e hagjit për mua dhe bashkëshorten time”, ka deklaruar Suma në AKK.
Njejtë sikur ai përfituan edhe mijëra qytetarë të tjerë. Disa më pak, e disa më shumë. Për shpronësimin e tokave të banorëve të këtyre anëve, Shteti shpenzoi miliona.
Drejtori për Shpronësime në Ministrinë e Mjedisit, Afrim Murati i ka thënë Gazetës Express se shpronësimi i tokave i ka kushtuar buxhetit të shtetit mbi 100 milionë euro. Deklaron se në shpronësime janë përfshirë mbi 60 zona kadastrale të komunave të vendit.
“Ndërtimi i Auto Rrugës Prishtinë – Hani i Elezit ka filluar me aprovimin e vendimit përfundimtarë nr.06/187 datë: 05.05.2014 tek rrethi i madh që bë lidhjen e segmentit rrugor: Auto rruga Vërmicë – Merdare R6, Auto rruga R6 Prishtinë – Hani i Elezit dhe Rrugën Magjistrale M2 dhe shpronësimi në total deri në zonën kadastrale Hani i Elezit, aty ku përfundon ndërtimi i autorrugës ka kosto prej rreth 106 milion euro dhe ka perfshi mbi 60 zona kadastrale te Komunave Graqanice, Lipjan, Ferizaj, Kaçanik dhe Hani i Elezit”, ka thënë Murati.
Deklaron se për këtë autostradë janë shpronësuar rreth 2 mijë e 500 prona. Murati thotë se vlerësimi i këtyre pronave është bërë sipas çmimit të tregut, dhe se pronat me kosto më të lartë jaë pronat të cilat janë më afër qendrave urbane.
“Numri i pronave të shpronësuara është rreth 2467 prona, ndërsa numri i raporteve të vlerësimit nga të gjitha vendimet përfundimtare për ndërtimin e autorrugës Prishtinë – Hani i Elezit është rreth 5 mijë raporte të vlerësimit, numri i madh i raporteve të vlerësimit është për shkak se disa prona gjatë ndërtimit të auto rrugës janë shpronësuar 3 deri 4 herë me sipërfaqe shtesë, sipas nevojës së paraqitur në teren gjatë ndërtimit”, thuhet në përgjigjet e Muratit drejtuar Gazetës Express.
Ndryshe, autostrada që e lidh Prishtinën me Shkupin, ishte planifikuar të përfundoj më 31 dhjetor të 2018’ës, por konsorciumi Bechtel – Enka nuk kishte arritur që t’i përfundojë me kohë punimet. Kjo autostradë arriti të lëshohej për qarkullim tek më 29 maj të 2019’ës.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë krerët e shtetit, përfaqësues të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe ambasadorë të akredituar.
Por, edhe pse kjo autostradë u lëshua për qarkullim në maj, punimet për ndërtimin e saj nuk kanë përfunduar plotësisht.
Me kërkesë të Ministrisë së Infrastrukturës, Qeveria ka marrë vendim për zgjatjen e afatit të Kontratës për ndërtimin e Autostradës R6 “Arbën Xhaferi”, Prishtinë – Hani i Elezit, deri në dhjetor 2020, për punët shtesë në ndërtimin e dy kyçjeve në Ferizaj dhe Viti dhe mbikalimin në Paldenicë.
Por, që kostoja e këtyre projekteve ende nuk dihet.
Ndërkohë për shkak të mosrespektimit të kontratës, kompania amerikano-turke kishte detyruar Qeverinë e Kosovës të paguaj 53.1 milionë euro.
Arsyet ishin për zvarritje të punimeve, si dhe për vonesa në pagesa të mjeteve në të kundërtën kushtëzuan se i ndërpresin punimet në Autostradën “Arbën Xhaferi” për ta dërguar lëndën në Arbitrazhin ndërkombëtar.
Menjëherë pas këtij paralajmërimi, Qeveria Haradinaj mori vendim që ta shlyejë këtë borxh. Shlyrjen e kësaj gjobe e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
“Janë paguar të gjitha obligimet përpos punës shtesë. 53 milionëshi është paguar. Për datë nuk e di sepse shkon nëpërmjet sistemit të financave”, ka thënë Lekaj për Express.
Vendim i të parit të ekzekutivit për ndarjen e këtyre mjeteve ishte vënë edhe nën llupën e organeve të hetuesisë.
Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi kishte konfirmuar se Prokuroria dhe Policia Hetuese janë duke mbledhur të dhëna lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove shtesë për këtë kompani.
“Prokuroria, së bashku me Policinë Hetuese, do të mbledhë të dhëna dhe informacione të nevojshme për t’u siguruar se a ka dyshim të arsyeshëm se a është kryer ndonjë vepër penale për të cilën ndjekja ndërmerret sipas detyrës zyrtare“,kishte thënë Lumezi.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...