Hoxhaj reagon ndaj Vuçiqit: Fajtorët për rastin e Ivanoviqit fshihen në Beograd

17:24 | 5 Korrik 2019
Arbresh.info

Hetimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit është nën proces e sipër, por presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kurrsesi nuk po mund të ndalet së penguari drejtësinë. Ndaj deklaratave destruktive për hetimin, të bëra nga Vuçiq, ka reaguar zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Hoxhaj thotë se përpjekjet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq për ta penguar drejtësinë në zbardhjen e rastit të vrasjes së politikanit nga Kosova, Oliver Ivanoviq, po vazhdojnë.

Sipas zëvendëskryeministrit Hoxhaj, minimi i procesit në vazhdimësi përmes akuzave të pamatura ka për qëllim mbrojtjen e përgjegjësve për këtë krim, të cilët po fshihen në Beograd.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq vazhdon përpjekjet e tij për ta penguar drejtësinë dhe për të ndërhyrë në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Minimi i një procesi i cili është në zhvillim e sipër, përmes akuzave të pamatura tenton t’i mbrojë përgjegjësit për këtë krim, të cilët janë duke u fshehur në Beograd”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Ndaj deklaratave të Vuçiq ku përmend emra konkret si gjoja fajtorë për rastin, ka reaguar edhe vëllai i Oliver Ivanoviqit, duke thënë se të këtilla deklarata po e dëmtojnë procesin.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme