Presidenti Thaçi priti në takim lamtumirës ambasadorin jo-rezident të Kanadasë

14:56 | 3 Korrik 2019
A. B.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin jo-rezident të Kanadasë, Daniel Maksymiuk.

Sipas një njoftimi për media, Thaçi e ka falënderuar ambasadorin jo-rezident të Kanadasë për avancimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Kanadasë në kohën e shërbimit të tij.

“U jam mirënjohjes personalisht për ngritjen e bashkëpunimit bilateral në mes dy vendeve tona në një dinamikë të shtuar”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Kreu i vendit ka thënë se Kosova i është mirënjohëse Kanadasë për përkrahjen e vazhdueshme.

“Kosova i është mirënjohëse Kanadasë që ka vazhduar ta përkrahë në çdo iniciativë, në çdo organizatë dhe forum ndërkombëtar”, duke shtuar më tej se “Jam i lumtur që kemi filluar bashkëpunim konkret në fushën e sigurisë e të mbrojtjes, por edhe të ekonomisë”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër Ambasadori Maksymiuk u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin që ka pasur me institucionet e Kosovës si dhe me shtimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve.

“Kanadaja i përkrah përpjekjet për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe rajon dhe aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe në BE”, ka thënë Ambasadori Maksymiuk.

Presidenti Thaçi , sipas njoftimit u shpreh se Kosova mund të mësojë shumë nga përvojat e Kanadasë dhe falënderoi ambasadorin Maksymiuk që ka nisur disa iniciativa të tilla nga të cilat do të përfitojë shteti dhe shoqëria kosovare.

Në fund të takimit, Presidenti Thaçi i uroi Ambasadorit Maksymiuk suksese në angazhimet e tij të reja.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme