Prishtina eliminohet në fazën preliminare nga St Josephs

19:43 | 2 Korrik 2019
Arbresh Info

Prishtina është eliminuar pasditen e sotme (e martë) në fazën preliminare të UEFA Evropa Ligës nga St Josephs.

Djelmoshat nën udhëheqjen e trajnerit Mirel Josas u mposhtën me rezultat 2 me 0 në takimin kthyes të zhvilluar në Gjibraltar në stadiumin Victoria duke u eliminuar kështu me rezultat të përgjithshëm 3 me 1 pas barazimit 1 me 1 në “Fadil Vokrri”, shkruan portali arbresh.info.

Pjesa e parë e takimit të sotëm përfundoi pa gola 0 me 0, por gjërat ndryshuan për të keq qysh në fillim të pjesës së dytë për skuadrën nga kryeqyteti jonë.

Armend Dallku dhe Leotrim Bekteshi u përjashtuan nga fusha pas vetëm tre minuta lojë në fraksionin e dytë  duke ndryshuar tërësisht planin e lojës së tyre. Nuk kaluan shumë minuta dhe kjo i kushtoi skuadrës kosovare që pësoi dy gola brenda pesë minutave.

Villar Federico zhbllokoi shifrat e këtij takimi duke shënuar për 1 me 0 në minutën e 75′ para se sulmuesi Juanfri të dyfishonte rezultatin duke dërguar topin në rrjetën e Visar Bekajt (80′) për 2 me 0.

Me karton të kuq u ndëshkua edhe mesfushori Rojas Ezequieli i St Josephs gjatë minutave shtesë të takimit.

Rangers është rivali i ardhshëm i St Josephs pas fitores ndaj Prishtinës, aventura evropiane e së cilës përfundoi sonte./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme