Liberalizimi i vizave, sot merret vesh nëse Finlanda do ta ndihmojë Kosovën në këtë proces

11:15 | 2 Korrik 2019
Arbresh Info

Finlanda është shteti që do të kryesojë me Bashkimin Evropian duke filluar që nga 1 korriku. Një nga çështjet që do t’i bie hise të merret, është edhe çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën. I gjithë ky proces tashmë është në dorën e Përfaqësisë së Përhershme të Finlandës në Bashkimin Evropian, dhe varet nga ta nëse do të vendosin ta fusin në rend dite në Këshillin e Ministrave.

Por a do të jetë prioritet i shtetit finlandez fati i vizave për kosovarët, do të mësohet sot nga një konferencë për media që do të organizohet në Zyrën e BE-së në Kosovë, ku do të marrë pjesë edhe ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall.

Në këtë konferencë do të prezantohen se cilat do të jenë prioritetet e Finlandës përgjatë punës së tyre si kryesues të presidencës së BE-së.

“Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesja Speciale e BE-së, Nataliya Apostolova, dhe Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, do të paraqesin prioritetet e Presidencës së Finlandës të Këshillit të Bashkimit Evropian në pritjen që do të mbahet më 2 korrik”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së.

Lidhur me atë se a e mbështet Finlanda Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, Gazeta Express ditë më parë i ka drejtuar pyetje Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës.

Ata kanë thënë se do të punojnë bazuar në atë që shtetet tjera kanë bërë paraprakisht, duke rikujtuar se në fund është Këshilli  që e merr vendimin.

Virpi Kankare, zyrtare e lartë në Ministrinë e Jashtme të Finlandës në Departamentin e Vizave, thotë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovarët, varet në plotësimin e kushteve.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën, varet nga plotësimi i të gjitha kushteve për liberalizim të vizave”.

Sa i përket rolit të presidencës së Finlandës në BE për çështjen e vizave, Kankare thotë se nëse kjo çështje do të jetë e hapur edhe pas marrjes së presidencës nga Finlanda, atëherë do të punojnë bazuar në punën paraprake të bërë nga shtetet tjera.

“Presidenca e Finlandës në Këshill të BE-së fillon në korrik. Nëse çështja mbetet e hapur, ne do të punojmë bazuar në punën e Presidencave paraprake”, ka potencuar ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme