Në pak muaj, Kosova është kthyer për Shqipërinë në partnerin e dytë tregtar të eksporteve, duke lënë pas Spanjën e duke u renditur direkt pas Italisë.
Nëse analizojmë statistikat e tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT, rezulton se kthesa e fortë ka nisur në muajin shkurt të këtij viti, me rritjen e parë prej 600 milion lekë më shumë e duke u konsoliduar në pas me një rritje progresive prej 1.2 miliardë lekësh më shumë nga muaji në muaj.
Në fakt, duket se vendosja e taksës 100 % të mallrave nga Serbia dhe Bosnjë – Hercegovina në Kosovë, ka filluar të japë efektet e para dhe në Shqipëri. Bazuar në raportet e përmuajshme të INSTAT mbi tregtinë e jashtme, eksporti i mallrave në Kosovë është rritur me shifra të konsiderueshme. Në 4 muajt e këtij viti (janar-prill 2019) rritja është 3 miliardë lekë më shumë se në janar-prill 2018.
Referuar të dhënave të INSTAT, Shqipëria eksportoi në Kosovë 8.9 miliardë lekë mallra këtë vit, në një kohë që në janar-prill të vitit të kaluar ka eksportuar 5.8 miliardë lekë. Vlera e mallrave të eksportuar në Kosovë në Janar 2019 kap vlerën e 1 miliardë lekëve. Në shkurt shifra ishte 1.9 miliardë lekë, duke njohur një rritje prej më shumë se 800 milionë lekësh në krahasim me muajin janar. Tendenca rritëse vijoi edhe në muajt pasues; në mars 2019 në 2.7 miliardë lekëve dhe në prill në vlerën e 3.1 miliardë lekëve.
Çfarë eksportoi Shqipëria në Kosovë
Nëse analizojmë grup-mallrat e eksportuara, rezulton se peshën më të madhe në këtë rritje e ka pasur grupi ‘minerale, lëndë djegëse e energjisë elektrike’ dhe grupi ‘materiale ndërtimi dhe metale’. Sipas të dhënave të INSTAT për tregtinë e jashtme sipas grup – mallrave, në periudhën janar – prill 2019, Shqipëria ka eksportuar grup – mallra ‘ushqime, pije, duhan’, me vlerë 266 milionë lekë më shumë se në janar-prill 2018, 208 milionë lekë më shumë grup – mallra ‘produkte kimike dhe plastike’, 113 milionë lekë më shumë grup – mallra ‘prodhime druri dhe letre’, 624 milionë lekë më shumë mallra ‘materiale ndërtimi dhe metale’ dhe plot 1.716 miliardë lekë më shumë grup – mallra ‘minerale, lëndë djegëse, energji elektrike’.
Çfarë i ndodhi Serbisë dhe Bosnjes nga vendosja e taksës?
Që prej vendosjes së taksës, në tetor të vitit të kaluar, ndikimi i tërthortë në Shqipëri është ndjerë pas një periudhe tremujore, kohë e mjaftueshme për të “zbrazur” rezervat e Kosovës me mallra serbe dhe ato të Bosnjë – Hercegovinës. Vendosja e taksës në fakt, ka dhënë pasur impakt direkt e të menjëhershëm në uljen e importeve të Kosovës. Nëse analizojmë shifrat e Institutit të Statistikave të Kosovës, rezulton një ‘prerje’ e menjëhershme e importeve të Kosovës nga Serbia dhe Bosnja.
Referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në muajin nëntor 2018 (pak pas vendosjes së taksës) importet e Kosovës nga Serbia ranë në 15.5 milion euro, duke njohur më shumë se përgjysmim të tyre në krahasim me nëntorin e vitit 2017 kur importet ishin në nivelin 36.9 milion euro. Të njëjtin efekt, taksa e pati për Bosnjë – Hercegovinën, ku importet në nëntor të vitit 2018 ishin 3 milion euro, në një kohë që në nëntorin e vitit 2017 ato kanë qenë në nivelin 6.2 milion euro. Në dhjetor situata e importeve të Kosovës nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina njohu rënie të mëtejshme.
Referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave në Kosovë, në dhjetor 2018 niveli i importeve të Kosovës nga Serbia ra në 5.3 milion euro ndërsa me Bosnje-Hercegovinën rënia ishte edhe më dramatike, në 199 mijë euro. Kujtojmë faktin se në të njëjtën periudhë të një viti më parë (nëntor 2017) importet e Kosovës nga Bosnje-Hercegovina ishin 7.9 milion euro. Edhe janari ka qenë një muaj humbjesh të konsiderueshme për Serbinë dhe Bosnjen, në të cilin importet e Kosovës nga këto vende ishin përkatësisht 1.4 milion euro dhe 312 mijë euro.
Shkurti dhe marsi i këtij viti kanë qenë gjithashtu muaj ku niveli i shkëmbimeve tregtare të Bosnjes dhe Serbisë me Kosovës ranë në nivelet më minimale. Në shkurt Kosova, nga niveli mujor i 30 milion eurove që ishte më parë, importoi vetëm 482 mijë euro mallra nga Serbia. Po ashtu, edhe me Bosnjen niveli i shkëmbimeve ra në kuotën 829 mijë euro. Edhe muaji marsi i këtij viti vijoi me të njëjtën tendencë. Në Kosovë u futën 535 mijë euro mallra serbe dhe vetëm 34 mijë euro mallra nga Bosnja dhe Hercegovina.
“Fatura” e humbjeve të deritanishme të Serbisë dhe Bosnjes. Nëse analizojmë shifrat e Institutit të Statistikave të Kosovës, që prej muajit nëntor të vitit të kaluar e deri në mars të këtij viti, Serbia ka humbur rreth 20-30 milion euro çdo muaj, krahasuar me nivelin e para vendosjes së taksës. Ndërkohë, edhe Bosnja ka njohur humbje të konsiderueshme. Referuar shifrave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga muaji nëntor i vitit të kaluar deri në marsin e këtij viti, Bosnje-Hercegovina ka humbur të paktën 18 milionë euro, krahasuar me nivelet e mëparshme të mallrave që fuste në Kosovë.
Shtetet ballkanike që përfituan prej taksës
Nëse analizojmë gjeografinë tregtare të Kosovës, bazuar në të dhënat e Institutit të Statistikave, rezulton se në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pjesë e marrëveshjes CEFTA, Shqipëria dhe Maqedonia janë përfitueset më të mëdha.
Prej pak muajsh, mallrat e Shqipërisë kanë njohur një rritje të ndjeshme të prezencës në territorin e Kosovës duke dalluar ‘kapërcime” të forta të shifrave që prej muajit shkurt.
Rritja e 4 muajve të parë të vitit vlerësohet në rreth 3 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë (janar-prill 2018). Në fakt, e njëjta tendencë konstatohet edhe me Maqedoninë. Edhe mallrat e Maqedonisë kanë njohur një rritje të prezencës, me të njëjtën peshë sa mallrat e Shqipërisë.
Referuar të dhënave statistikore të institucioneve të Kosovës, rezulton se në vlera e mallrave maqedonase të eksportuara në Kosovë ka arritur në nivelin 20 milionë euro duke barazuar Shqipërinë.
Kush po zëvendëson Serbinë dhe Bosnjen në Kosovë?
Shqipëria dhe Maqedonia janë dy vendet e rajonit të Ballkanit që po përfitojnë më shumë. Megjithatë, në hartën e gjeografisë tregtare të Kosovës, shteti që po përfiton më shumë rritje të shkëmbimeve që prej vendosjes së taksës është Sllovenia. Referuar të dhënave të Institutit të Statistikave të Kosovës, rezulton se Sllovenia ka rritur në mënyrë të ndjeshme eksportet në Kosovë duke i dyfishuar ato në pak muaj.
Sipas ISK, në nëntor të vitit 2018 kur u aplikua taksa, nga 4. 8 milion euro që ishin importet nga Sllovenia në nëntor të vitit 2018, në nëntorin e vitit 2019 ato u rritën në 9.6 milion euro. Edhe në dhjetor 2019, importet ishin 16 milion euro në një kohë që në të njëjtën periudhë të vitit paraardhës ato kanë qenë në nivelin 7.1 milion euro. Në janar, tendenca rritëse për Slloveninë vijoi dhe më tej. Importet e Kosovës nga Sllovenia ishin në nivelin 13.8 milion euro në një kohë që në janar të vitit 2018 ato kanë qenë në nivelin 5.4 milion euro.
Edhe në muajin shkurt 2019 importet e Kosovës nga Sllovenia qëndruan në nivelin 13.5 milion euro në një kohë kur në shkurt të vitit 2018 ato kanë qenë në nivelin 4.3 milion euro. Ndërkohë, në muajin mars 2019, importet nga Sllovenia ishin në nivelin 8.6 milion euro në një kohë që në në mars të vitit 2018 niveli i importeve ishte 5.6 milion euro. Në këtë mënyrë, duke se Sllovenia ka konsoliduar një nivel të ri të shkëmbimeve tregtare me Kosovën nga 6-7 milion euro në muaj, duke kaluar shifrën e mbi 10 milionë euro në muaj. Gjithsesi, mbetet për t’u parë ecuria vjetore e shkëmbimeve mes këtyre vendeve.
Nëse tendenca e konstatuar në këto muaj do të vijojë të qëndrojë e tillë edhe në muajt në vijim, atëherë mund të thuhet se shteti që përfiton më shumë, në vlerë, nga vendosja e taksës mund të jetë Sllovenia. Edhe Turqia ka njohur një “hov” të ri të shkëmbimeve tregtare me Kosovën që pas vendosjes së taksës për produktet serbe dhe ato të Bosnjes, edhe pse nivelet e arritura pas vendosjes së taksës, i ka ‘cekur’ në muaj të caktuar para vendosjes së saj. Turqia, ashtu si Sllovenia, ka rritur eksportin me 22.7 milionë euro, krahasuar me periudhën janar – mars 2018. Rritjen më të madhe e ka pasur në muajin mars, me 13.6 milionë euro më shumë nga marsi i vitit 2017. Në nëntor të vitit 2018, nga Turqia u importuan në Kosovë rreth 30.8 milion euro mallra.
Në të njëjtën periudhë të vitit paraardhës importet ishin në nivelin e 23.9 milionë eurove. Në dhjetor 2018, shifra e importeve të Kosovës nga Turqia shkoi në 32 milionë euro, për të njohur një rënie në janar të viti 2019 në 19.7 milionë euro e për të vijuar rritjen në muajin shkurt dhe mars me përkatësisht 25 milionë dhe 38 milionë euro. Niveli i importeve në mars 2019 nga Turqia arriti pikën më të lartë. Një tjetër partner i tregtisë së jashtme me Kosovën që ka ecur me hapa përparues (të paktën deri në mars të 2019) është Bullgaria. Kjo e fundit, në fakt, duket të jetë treguar “e shkathët” duke vënë në lëvizje eksportet drejt Kosovës që në fillimet e taksës 100 % për mallrat nga Serbia dhe Bosnja.
Sipas INSTAT- it të Kosovës, nëse në tetor 2017 eksporti i Bullgarisë drejt Kosovës ishte në vlerën e 5.266 milionë euro, në tetor 2018 vlera e mallrave të eksportuar nga Bullgaria në Kosovë ishte 6.179 milionë euro. Në nëntor 2018 pati gjithashtu rritje të mallrave të eksportuara nga Bullgaria në Kosovë me 137 mijë euro nga nëntori i vitit 2017. Kurse në dhjetor 2018, Bullgaria bëri një diferencë të dukshme, me plot 2.876 milionë euro diferencë në rritje nga dhjetori i vitit 2017.
Eksporti bullgar drejt Kosovës përgjatë muajit të fundit të vitit 2018 ishte 8.566 milionë euro, kurse në dhjetor 2017, kjo vlerë eksportesh ishte 5.690 milionë euro. Mesa duket, kjo taksë drejt Serbisë dhe Bosnjës ka qenë një mundësi e mirë edhe për shtete të tjera; mundësi e cila nuk mbeti pa shfrytëzuar. Bullgaria ka vazhduar të rrisë eksportet drejt Kosovës edhe përgjatë tremujorit të parë të 2019, duke i përngjasuar Sllovenisë.
Në periudhën janar – shkurt – mars 2019, importet nga Bullgaria, Kosova i ka rritur me 8.4 milionë euro, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. 23.4 milionë euro është vlera e mallrave të eksportuar në Kosovë nga Bullgaria në tremujorin e parë të 2019, ndërsa në po të njëjtën periudhë në vitin 2018, mallrat e eksportuar nga Bullgaria drejt Kosovës kapnin vlerën 15 milionë euro.
Hungaria dhe Greqia janë dy shtete të tjera të cilat kanë përfituar nga “mundësia e artë” e vendosjes së taksës. Greqia ka pasur “boom-in” më të madh në muajin mars të 2019, me një rritje eksportesh në vlerën e 12 milionë euro. Nga ana tjetër, Hungaria, në tre muajt e parë të vitit 2019 ka eksportuar 5.8 milionë euro më shumë mallra sesa në periudhën janar – shkurt – mars 2018.
Ky progres tremujor i Hungarisë nuk kap as progresin njëmujor të Greqisë, megjithatë, në vetvete, secili vend ka marrë një copë të “tortës” serbe. Këto shifra, krahasuar me vitet paraardhëse por dhe me njëra – tjetrën, na nxjerrin në përfundimin se nëse Serbia renditej e para, tani jo vetëm që është “zhdukur” nga harta e gjeografisë tregtare të Kosovës, por ka konsoliduar pozicionin e Gjermanisë në vendin e parë të partnerëve tregtarë të Kosovës. Nga ana tjetër, “vendi i dytë” duket se është ndarë mes shumë shteteve të tjera, me të cilat niveli i importeve varion nga muaji në muaj
Hapja e fabrikës për municion, Maqedonci: Jemi koordinuar me...
Miratohet Projektligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 203...
“Ëndrra e Evropës shtrihet në Ballkanin Perëndimor”, Von der...
Përplasen Driloni e Sara, ”Lëri njerëzit e tjerë rehat”, ”Ed...
20 arrestime dhe sekuestrim i 120 mijë eurove, operacion i p...
Qeveria miraton Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit