Kërkohet përgjegjësi për 300 mijë eurot e Ekipit Negociator jokushtetues

08:17 | 29 Qershor 2019
Arbresh.info

Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar se Delegacioni Shtetëror për Dialog është jo kushtetues.

Analisti politik Albinot Maloku, thotë se ky Ekip Negociator nuk ishte i domosdoshëm. Sipas tij, për shpenzimet e këtij ekipi duke u nisur nga Presidenti, e gjithë Qeveria duhet të japë përgjegjësi.

“Ajo çfarë duhet të bëhet tash është dhënia e përgjegjësisë nga të gjithë ata që e nxitën themelimin e këtij Ekipi, duke u nisur nga Presidenti që deshi ta përdorojë si legjitimim të hapave të tij krejtësisht jo kushtetues në dialog, e nga Qeveria si testuese për të marrë pjesë në dialog”.

Maloku më tutje deklaroi se Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, duhet të përgjigjen se si iu bashkuan një projekti dështak dhe të jepet përgjegjësia e 300 mijë eurove të shpenzuara kot.

“Bashkë kryesuesit Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti duhet të kenë një përgjigje se si iu bashkuan një projekti dështak, e mbi të gjitha i tërë Ekipi duhet të jap përgjegjësi për 300 mijë eurot e shpenzuara kot.  A do të japin ndonjë lloj përgjegjësie pjesëtaret e këtij Ekipi, nuk e di, dhe kjo nga se kultura e përgjegjësisë politike e shtetërore është duke kaluar vitet më të këqija në vendin tonë”, deklaroi Maloku.

300 mijë euro ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës për anëtarët e ekipit negociator, delegacion ky i udhëhequr nga lideri i PSD-së, Shpend Ahmeti dhe ai i Nisma-s, Fatmir Limaj./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme